Greva e nisur sot zyrtarisht nga shërbyesit civil nuk është pritur mirë nga Qeveria Kurti. Në mëngjesin e sotëm grevistët iu nisë një e-mail për t’i njoftuar për pasojat që i presin ata. Ata po rrezikojnë të mbesin pa paga e benifite tjera. Kështu konfirmoi për Insajderin zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Enis Spahiu i cili u shpreh se ligjërisht është e lejuar një lëvizje e tillë.
Ky vendim i qeverisë po cilësohet skandaloz e i papranueshëm nga ana e nënkryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.
Ajo për Insajderin tha se Kurti është një kryeministër që e do nënshtrimin.
“Kjo është skandaloze, e papranueshme dhe e turpshme. Greva është e drejtë e garantuar me ligj. Kemi një kryeministër i cili nuk do bashkëbisedim, por nënshtrim. Kemi një kryeministër i cili do ta eliminoj dialogun social. I përbuzë mësuesit, mjekët, veteranët…”, tha Çitaku për Insajderin.
Skandaloze vendimin e Qeverisë Kurti po e quan edhe kreu i Grevistëve të BSPK-së, njëherit kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj derisa paralajmëroi se mund të ketë eskalim të situatës.
Ai tha për Insajderin se sipas ligjit për greva nuk mund të merren masa ndëshkuese ndaj grevistëve.
“Urojë të jetë dezinformatë. Por nëse është e vërtetë është një hap tejet i gabuar dhe skandaloz qoftë i ministrit Murati qoftë i Qeverisë Kurti, greva jonë është legjitime e paraparë edhe me ligjin për grevë, duhet ta lexojnë këtë ligj. Dhe aty thuhet se në grevën legjitime s’mund të merret asnjë masë ndëshkuese, me largim nga puna apo ndonjë ndëshkim tjetër material“, tha Jasharaj për Insajderin.