Janë bërë më shumë se 1 javë prej kur mediat zvicerane, nëpërmjet hulumtimit të “Mise au Point” (Fokus) itë Televizionit Publik zviceran raportuan kërcënimet ndaj ish-senatorit zviceran Dick Marty i cili prej dhjetorit të vitit 2020 jeton në masa të rrepta sigurie për shkak të kërcënimeve që ka marrë për jetë, siç pretendon ai, nga shërbimet sekrete serbe.
Sipas asaj që raportohet nga mediat në Zvicër, Dick Marty citohet të ketë thënë se “kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve. Sa për vrasësit, ata do të ishin pjesë e “botës së krimit”. “Ka veteranë që specializohen në vrasje me urdhër, vrasje të porositura dhe kështu që nuk duhen shumë para për të vrarë dikë”.
Për sulmin e planifikuar, një serb thuhet se ka kontrabanduar armë në Zvicër diku në dhjetor 2020, përcjell albinfo.ch. Për të përfituar nga vëmendja e shtypit lidhur me aktakuzën e Hashim Thaçit, vrasja duhet të paraqitet si t’i atribuohet qeverisë kosovare/shqiptare (ish-UÇK), për ta diskredituar atë ndërkombëtarisht”.
Lidhur me këtë çështje, reagime ka pasur në Serbi e në Kosovë. BIA serbe ka reaguar menjëherë pas raportimeve duke mohuar të kenë kërcënuar Martyn dhe gjithashtu duke mohuar të kenë çfarëdo lidhje me këtë rast. Por ndryshe ishte në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u deklarua lidhur me këtë çështje tek pas pyetjeve të gazetarëve në një konferencë për media që s’kishte të bënte lidhur me këtë çështje. Megjithatë, deklarata e tij ishte shpresëdhënëse sa i përket angazhimit të Kosovës në këtë çështje.
Kurti tha se kjo është e njohur për shërbimin sekret serb, por Kurti beson se QUINT dhe BE-ja do ta ngrisin këtë çështje, ndërsa ka thënë se nëpërmjet Ministrisë së Brendshme do të bashkëpunojnë me shtetin zviceran deri në zbardhjen e rastit.
“E dimë mirë se të gjithë janë të informuar për rastin Panda në Pejë ku u vranë të rinjtë që të fajësoheshin shqiptarët. Kjo është e njohur nga Shërbimi Sekret serb sidomos nga shqiptarët që e kanë përjetuar këtë si përvojë të hidhur. Por besoj se është koha e fundit që QUINT në Beograd dhe BE-ja ta ngrisin këtë çështje me strukturat më të larta në Serbi. Ne përmes ministrisë së Brendshme dhe jo vetëm do të bashkëpunojmë me shtetin zviceran për të mësuar më shumë për këtë rast, por gjithashtu jemi të interesuar që kjo të zbardhet deri në fund. Sepse nuk mjafton të bëhet denoncimi dhe të shpjegohet se në 16 muajt e fundit, senatori Marty paska patur një mbrojtje super speciale për shkak të një rreziku të panjohur deri më tani për neve.”, shtoi Kurti.
Lajmi.net ka dërguar pyetje në Zyrën për Media të Kryeministrisë, nëse kontaktet dhe bashkëpunimi me autoritetet zvicerane ka filluar nga ana e institucioneve të Kosovës, por këta të fundit nuk kanë dhënë përgjigje për mediumin deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.
Në anën tjetër, Presidenca është zotuar nëpërmjet një deklarimi për lajmi.net se do të kërkojnë nga autoritetet e sigurisë në Kosovë që të marrin informacionet zyrtare nga autoritetet zvicerane lidhur me këtë rast.
Këshilltari i presidentes së vendit, Bekim Kupina, deklaroi për lajmi.net ditë më parë se më të pranuar informacionin lidhur me ish-senatorin Marty, Osmani ka filluar kontaktet me institucionet e sigurisë, prej të cilëve ka kërkuar që menjëherë të sigurojnë informacion zyrtar nga autoritetet zvicerane.
“Sapo është bërë publik lajmi për ish-senatorin Dick Marty, Presidentja Osmani ka kontaktuar me institucionet e sigurisë dhe ka kërkuar nga to që menjëherë të sigurojnë informacion zyrtar nga autoritetet zvicerane për planin e agjencive serbe të inteligjencës për ta eliminuar ish-senatorin zviceran Dick Marty në mënyrë që pastaj t’ia lënë fajin personave nga Kosova.”, deklaroi Kupina.
Kërcënimi ndaj Dick Marty-t, Presidentja e Kosovës kërkon informacione të detajuara nga shteti i ZvicrësNjë hetim i bërë së fundi nga “Mise au Point” (FOCUS), hodhi në pah se ish-senatori Dick Marty është vendosur nën mbrojtje shumë të rreptë policore.Lexo me shumëlajmi.net
Në anën tjetër, Presidenca nuk ka dhënë detaje më të hollësishme mbrëmë dhe sot kur janë pyetur nëse këto kontakte kanë filluar. Deri në botimin e këtij artikulli, lajmi.net nuk ka marrë përgjigje konkrete nga Zyra e Presidencës, të cilët janë zotuar në përgjigje se kur të ketë diçka, do të njoftojnë opinionin.
Përveç Kryeministrisë e Presidencës, lidhur me kontaktet dhe bashkëpunimin midis Kosovës dhe Zvicrës në çështjen “Marty” nuk kanë folur as autoritetet zvicerane. Në një përgjigje me shkrim për lajmi.net nga Zyra Federale e Policisë (FEDPOL) departamenti Federal i Drejtësisë dhe Policisë, drejtoria e komunikimit, konfirmohet vetëm kontakti me autoritetet serbe, ndërsa jo edhe me ato kosovare.
Në përgjigjen e tyre për lajmi.net thuhet se autoritetet zvicerane janë në kontakt me autoritetet serbe në nivele të ndryshme, përfshirë këtu edhe shkëmbimin e informacioneve me policinë serbe nga ana e FedPol.
“Përveç aspekteve kriminale, çështja përfshin kryesisht garantimin e sigurisë personale, por ka edhe komponentë politikë duke pasur parasysh kontekstin e saj ndërkombëtar. Si rezultat, agjenci të ndryshme zvicerane në nivel federal dhe kantonal janë përfshirë në përputhje me përgjegjësitë e tyre. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës, Fedpol dhe autoritetet e tjera partnere kanë vendosur një sërë masash gjithëpërfshirëse. Autoritetet zvicerane janë në kontakt me autoritetet serbe në nivele të ndryshme. Në veçanti një shkëmbim informacioni me policinë serbe është iniciuar përmes Fedpol. Ky shkëmbim, vetëm një nga masat e vendosura, kryhet në konsultim të ngushtë me Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës.”, thuhet në këtë përgjigje.
Pavarësisht një insistimi të dytë nga mediumi për të marrë një përgjigje konkrete lidhur me bashkëpunimin ose kontaktet e autoriteteve zvicerane me ato kosovare, përgjigje nuk ka pasur, pasi autoritetet zvicerane janë treguar të rezervuara në dhënien e detajeve për këtë çështje, pavarësisht se janë përgjigjur pa hezitim sa i përket bashkëpunimit me Serbinë.
“Faleminderit për pyetjen. Ne e kuptojmë nevojën tuaj për më shumë informacion. Megjithatë, kërkojmë mirëkuptimin tuaj sepse në fakt, ne nuk mund të zbulojmë detaje të mëtejshme për këtë çështje.”, thuhet në përgjigjen e FedPol për lajmi.net.
Lajmi.net kishte kërkuar ditë më parë përgjigje edhe nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë lidhur me raportimet e mediave. Ata kanë thënë se janë të informuar lidhur me këtë çështje, por nuk kanë komentuar më tutje.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar është në dijeni të raportimeve të mediave që ju po i përmendni. Zyra e Prokurorit të Specializuar mbetet e fokusuar në zbatimin e mandatit të saj dhe nuk komenton për çështje të tilla.”, thuhet në përgjigjen e ZPS-së për lajmi.net.
Por, në anën tjetër, në përshkrimin e punës dhe juridiksionit Dhomave të Specializuara përmendet edhe raporti i Dick Martyt në të cilin pretendohej se në Kosovë kishin ndodhur krime të rënda të trafikimit me organe të qenieve njerëzore.
“Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar kanë juridiksion mbi krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimet e tjera sipas ligjit të Kosovës në lidhje me pretendimet e raportuara në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të 7 janarit, 2011.”, thotë një përshkrim në faqen zyrtare të Gjykatës Speciale lidhur me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Por në anën tjetër, Nevenka Tromp hulumtuese për 12 vjet e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi dhe ligjëruese në Universitetin e Amsterdamit, ka thënë se patjetër duhet që ish-senatori Dick Marty të jetë dëshmitar në Gjykatën Speciale.
Ajo beson se ish senatori zviceran, nuk doli kokë në vete në publik për të treguar se është i kërcënuar nga Shërbimi Sekret i Serbisë.
Se cilat do të jenë zhvillimet e mëtejshme në çështjen ‘Marty’ ende nuk është e qartë, por mbetet të shihet nëse do të ketë lëvizje të autoriteteve të Kosovës dhe atyre zvicerane në bashkëpunim, marrë parasysh se faji për vrasjen e menduar të Martyt, siç ka deklaruar vet ky i fundit, mendohej t’i ngarkohej shqiparëve.