![Kamenica në krye me kryetar të VV-së përzgjedh nënkryetar Filipoviqin që përkrahu Jabllanoviqin kur ofendoi nënat gjakovare Kamenica në krye me kryetar të VV-së përzgjedh nënkryetar Filipoviqin që përkrahu Jabllanoviqin kur ofendoi nënat gjakovare](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2022/05/Screenshot_4-4.jpg)
Kryetari i Kamenicës nga radhët e Vetëvendosjes, Kadri Rahimaj, ka thënë se ka propozuar Dalibor Filipoviqin për nënkryetar të komunës dhe se i njëjti është votuar në Kuvendin Komunal të Kamenicës.
Ai një gjë të tillë e ka konfirmuar për Gazetën Express.
Filipoviq në profilin e tij në ‘facebook’ në vitin 2016 kishte shprehur admirim për ish-ministrin Jabllanoviq, kur ky i fundit ishte shkarkuar për shkak se i kishte quajtur “egërsira” nënat gjakovare.
I njëjti në komentin e postimit të tij kishte thënë se “Jabllanoviq është njeri i mirë” dhe se “s’ka gabuar kur i ka quajtur egërsira shqiptarët”.
Megjithatë, Rahimaj tha se akoma se ka nënshkruar vendimin për emërimin e Filipoviqit, meqë po e pret vendimin e MAPL-së për ligjshmërinë e procesit të përzgjedhjes.
Megjithatë konfirmon se propozimin e ka bërë vetë dhe se Kuvendi e ka miratuar.
“Propozimi i Dalibor Filipoviq për nënkryetar ka ardhë nga unë si nënkryetar dhe është votuar në Kuvendin Komunal. Çdo vendim i Kuvendit Komunal e merr ligjshmërinë në MAPL. Nëse MAPL e konfirmon ligjshmërinë ai emërohet”, tha Rahimaj për Express.
Rrahimaj tutje tha se Komuna akoma është pa nënkryetar por nëse del të jetë e vërtetë se Filipoviq ka mbështetur ish-ministrin Jabllanoviq kur i ka fyer nënat gjakovare atëherë s’do ta nënshkruaj vendimin për emërimin e tij si nënkryetar.
“Nuk po e di rastin që ka fyer nënat gjakovare nëse është e vërtetë ai nuk do të emërohet atëherë. Komuna e Kamenicës gjatë gjithë kohës ka pasë kryetar të komuniteteve, Filipoviq nuk i takon Listës Serbe dhe asambleistët e Listës Serbe s’e kanë votuar në Kuvendin Komunal. Ky ka qenë kryetar i partisë lokale në Hajnoc dhe me profesion është jurist. Vendimin nuk e kam marrë ende për emërim sepse po e presim konfirmimin prej MAPL-së, por nëse del diçka e tillë e vërtetë nuk e nënshkruaj vendimin për emërim. Pra, komuna e Kamenicës nuk ka ende nënkryetar vetëm është votuar në Kuvendin Komunal ne po presim ligjshmërinë e vendimit nga MAPL-ja”, tha Rahimaj prononcimin për Express.
Dalibor Filipoviq në disa postime në Facebook e kishte mbështetur ish-ministrin për Kthim dhe Komunitete Aleksander Jabllanoviq për fyerje që i kishte bërë ndaj nënave gjakovare duke thënë se nuk ka qenë gabim nëse i ka quajtur “egërsira”
Për termin që ka përdorur Jabllanoviq ndaj nënave gjakovare ai ishte shkarkuar nga posti i ministrit pas presioneve dhe protestave.