Ushtria ukrainase thotë se numri i sulmeve me artileri në kufirin midis Ukrainës dhe rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut, të pushtuara nga Rusia, ka rënë megjithëse Moska vazhdon të grumbullojë trupa brenda kufirit të saj.
Gazetari i Zërit të Amerikës, Victor Lymar shkoi në këtë rajon dhe bisedoi me disa nga banorët që shpresojnë se do të ketë paqe, megjithatë po përgatiten për luftë.
Në Zolotoe, një qytet në rajonin Luhanskut, ushtarët ukrainas po ndjekin me vigjilencë situatën.
“Ka disa të shtëna. Pra, nëse dal nga llogoret mund të goditem me plumb në kokë”, thotë Oleksandr, një ushtar ukrainas.
Në këtë zonë jetojnë edhe civilë dhe të shtënat me armë zjarri janë të zakonshme. 70-vjeçarja Aleksandra Gerasimova thotë se ajo është mësuar me të shtënat, por bagëtitë e saj jo.
“Ja, shikoni, kjo u dëmtua në vitin 2017. Nuk kishim asnjë dritare, u detyrova të vija dritare të reja. U dëmtuan edhe këto të tjerat, nuk më ngeli asgjë pasi ra një raketë këtu”, thotë ajo.
Në oborrin e shtëpisë së Nikolait ra një raketë disa javë më parë. Një banor i Stanytsia Luhanskas thotë se aty ka edhe mina.
“Këtu po vendosin mina. Këtu gjeja litarë të minave. Nuk e di se si përdoren ato”, thotë Nikolay.