Home Lajme Izet Haxhia dënohet me 21 vite burgim për vrasjen e Azem Hajdarit

Izet Haxhia dënohet me 21 vite burgim për vrasjen e Azem Hajdarit

0
Izet Haxhia dënohet me 21 vite burgim për vrasjen e Azem Hajdarit

Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor Izet Haxhinë për vrasjen e Azem Hajdarit. Trupa gjykuese e ka dënuar atë me 21 vite burg duke e gjetur fajtor për veprën penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim.

Haxhia iu dorëzua katër vitë më parë drejtësisë shqiptare duke ndejtur deri më tani në paraburgim deri në përfundimin e dënimit, periudhë e cila do të llogaritet në periudhën e vuajtjes së dënimit.

Izet Haxhia zbriti më datë 8 maj 2018 në aeroportin e Rinasit pasi ishte dorëzuar te autoritetet turke me qëllim ekstradimin në Shqipëri. Pasi zbriti nga avioni, në aeroport atë e prisnin punonjës të policisë së Tiranës, të Interpol, dhe një grup i gatshëm i burgjeve, i cili bëri edhe shoqërimin e tij në ambientet e burgut 302.

Ekstradimi

Haxhia u vetëdorëzua tek autoritetet turke, ndërsa lajmin e njoftoi përmes faqes në Facebook. Pak ditë më pas ai zgjodhi në Shqipëri avokatin Fran Dashi.

Izet Haxhia u arrestua në vitin 2006 në Turqi, por drejtësia turke nuk ishte shprehur ende për ekstradimin e tij, ndonëse pala shqiptare kishte bërë kerkesa të vazhdueshme në kohën kur në pushtet ishte Sali Berisha.

Për 12 vjet me radhë gjykata turke kishte urdhëruar thjesht që ai të mos largohej jashtë vendit, ndërsa në shkurt të këtij viti befas u mor vendimi që ai të ekstradohet.

Izet Haxhia ishte dënuar nga gjykata shqiptare me 25 vite burg në mungesë për vrasjen e Azem Hajdarit, akuzë të cilën ai nuk e ka pranuar kurrë.

Pas ardhjes së tij në Shqipëri, ai kërkoi rigjykim dhe rihapjen e dosjes “Hajdari”, por edhe pas rishikimit të fakteve, gjykata e dënoi atë jo më me 25 vite, por me 21 vite burg.

Izet Haxhia ka qenë truproja i parë Sali Berishës kur ai u zgjodh President në vitin 1992.

I ardhur nga Tropoja për të studiuar mjekësi në fillim të viteve ‘90, Haxhia, pjesëtar i një familje të madhe, simpatizoi bashkëpatriotin e tij pedagog dhe mjek i njohur, Sali Berisha duke pranuar ta mbronte 24 orë në ditë.

Kush është Izet Haxhia, raporti me Berishën dhe roli në vrasjen e Azem Hajdarit

Lë studimet në mes dhe i shërben si truprojë Sali Berishës pa u ndarë për mbi 8 vjet, që nga viti 1990 deri në vitin 1998.

Në vitet e qeverisjes së PD-së del në pah një konflikt i hapur ndërmjet tij dhe Azem Hajdarit, kreut të Lëvizjes Studentore dhe deputet i PD-së. Edhe ai nga Tropoja. Izet Haxhia nuk ishte thjesht një oficer i Gardës në ato vite, por një mekanizëm force politike që ka vepruar ndaj shumë personazheve që kanë kritikuar apo sulmuar Sali Berishën, përfshirë dhe Edi Ramën, kur ky i fundit ishte thjesht pedagog.

Izet Haxhia i shërben Berishës edhe në vitin e vështirë 1997, por papritur, një intervistë dhënë në atë kohë plasarit marrëdhëniet mes tij dhe bashkëpatriotit të tij.

Në këtë intervistë, Haxhia flet për klane e grupe trafikantësh droge që kanë përfituar dhe qëndrojnë pranë PD-së ku hedhin në erë shtyllat e tensionit. Ishte koha, kur vëllezërit e Izetit po punonin me Haklajt në policinë e Tropojës dhe po bashkëpunonin me strukturat e UÇK-së që bazën kryesore e kishte në Malësinë e Gjakovës, nga ku furnizonte më pas strukturat e Zonës Operative të Dukagjinit që komandohej nga Ramush Haradinaj.

Rivali i tij i vjetër, Azem Hajdari punonte gjithashtu me strukturat e armatosura të Kosovës, jo të UÇK-së por me grupet e lidhura me Rugovën, Bukoshin dhe LDK-në.

Izeti u riafrua në PD ditën e nesërme pas vrasjes së Azem Hajdarit, më 13 dhe 14 shtator, ku drejtoi turmat kundër Kryeministrisë dhe Radio Televizionit Shqiptar.

Sali Berisha, në deklaratën e parë publike akuzoi Jaho Salihin si pjesëmarrës në atentatin ndaj Azem Hajdarit. Por nga ana tjetër, Berisha atë kohë si lider i opozitës, nuk pranoi që të jepte dëshminë e tij në Prokurori për çështjen. Me ndërhyrjen e ambasadorit amerikan në Tiranë, kreu i PD-së pranoi që ta depozitonte dëshminë pranë një prokuroreje norvegjeze që u soll për të hetuar vrasjen e Azem Hadarit.

Berisha përmend në dëshminë e tij Izet Haxhinë si pjesëmarrës në vrasjen e deputetit të PD-së.

Ky i fundit pas asaj dëshmie arratiset nga Shqipëria dhe përfundon në Turqi. Të gjitha gjykatat e Shqipërisë e dënojnë me 25 vjet burg si pjesëmarrës në vrasjen e Azem Hajdarit.

Në vitin 2005, Izet Haxhia u arrestua ne Turqi. Ka mbetur enigmë fakti se pse Izet Haxhia u mbajt në Turqi dhe nuk u ekstradua, ndërkohë që autoritetet shqiptare kishin bërë vetëm një kërkesë për ekstradim por edhe ajo u la në harresë.

Prej kohësh Izet Haxhia ishte aktiv në media dhe rrejtet sociale, ku nuk ka reshtur së akuzuari ish-shefin e tij Sali Berisha si të përfshirë në vrasjen e Azem Hajdarit. Katër vjet më parë, ai ka dhënë një version të ndryshëm të vrasjes së Azem Hajdarit, ku thekson se nuk ka qenë fare në vendngjarje, duke kërkuar hapjen e çështjes.

Haxhia akuzoi Fatos Klosin dhe Sali Berishën në manipulimin e ngjarjes. Dy javë më parë, kur autoritetet nuk po vepronin për ekstradimin e tij, ai u vetëdorëzua dhe kërkoi që të ekstradohej në vendin tonë.

Izet Haxhia deklaroi se me hapjen e dosjes “Hajdari” do të paraqiste prova të forta që do të trondisnin opinionin publik shqiptar, gjë që nuk ndodhi. Tashmë atij i duhet të vuajë dënimin me më shumë se 20 vite burg, duke përmbyllur kështu edhe ciklin e tij të raporteve me politikën, të cilat u zhvilluan në periudhën më problematike të saj, 1992-2001. /ABCNEWS

Exit mobile version