Edison Jakurti, ish-zëvendësministri i Qeverisë Kurti, e ka demantuar deputetin e LVV-së, Armend Mujën, për çështjen e rritjes së pagave proporcionalisht me trendin e inflacionit.
Jakurti, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka ndarë të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, duke theksuar se inflacioni vetëm gjatë pesë muajve të fundit ka shënuar rritje prej 9.7 për qind.
“Në bazë të dhënave të ASK del se inflacioni në Kosovë gjatë pesë muajve të parë ka qenë rreth 9.7%. A e kanë ndejekur pagat këtë trend? ASK nuk publikon të dhënat mujore për pagat. Të dhënat e fundit janë për vitet 2012-2021. Gjatë kësaj periudhe, norma vjetore e rritjes se pagës mesatare Neto, në terma real, vetëm në vitin 2014, në sektorin publik, e për arsye elektorale ka qenë më e madhe se rritja e inflacionit në këta pesë muajt e fundit”, ka shkruar ai.
“Ndonëse ky krahasim mund të mos jetë i drejtë për shkak të a) faktit që rritja e pagave në 2014 nuk ka asnjë lidhje me inflacionin në 2022 dhe b) dallimit të kohëve që mbulojnë të dhënat (muaj vs. vite), është më i miri që mund ta bëjmë me të dhënat publike nga e kaluara. Prandaj, jo vetëm që nuk qëndron deri tani, por edhe gjatë tërë vitit 2022 është shumë pak e mundshme që rritja e pagave (sidomos në sektorin privat) ta përcjellë trendin e rritjes së çmimeve. Aq më pak ta tejkalojë atë”, përfundon postimi i tij.