Ish-pjesëmarrësi i protestës së 10 shkurtit 2007, Naim Ramizi, ka thënë se kjo protestë ishte nga më të mëdhatë që janë bërë ndonjëherë.
“Në Kosovën e 2016-ës ishte një atmosferë politike e një shteti që nuk i përket askujt, qytetarët e Kosovës janë konsideruar banorë dhe jo qytetarë. Unë si ish-luftëtar veten e kam gjetur në Lëvizjen Vetëvendosje dhe iu kam bashkuar të gjitha protestave të LVV-së që zhvilloheshin asaj kohe para statutit”, ka thënë Ramizi.
“Neve si LVV na ka ardhur ideja me ngritë zërin se ne jemi qytetarë dhe se qytetarët kanë kërkesa politike. Ato kemi dashtë me i nxjerrë në pah duke e shfrytëzuar të drejtën elementare për vetëvendosje. Jemi rreshtuar dhe kemi punuar që ajo protestë, meqë njëra nga masivet, protesta e 10 shkurtit ka qenë me më së shumti pjesëmarrës nga të gjitha shtresat pa dallime politike, atë ditë kanë kërkuar atë çka është e drejtë elementare e çdo populli”.
Ai, në Edicionin Special të Klan Kosovës, ka theksuar se protestuesit ishin paqësorë.
“Protesta nuk ka qenë e nxitur, protestuesit kanë qenë paqësorë, që kane protestuar për një kauzë të drejtë dhe të shenjtë, që e meriton çdo popull, siç e ka merituar edhe populli i Kosovës, pas asaj sakrifice qindra vjeçare. Protestuesit ishin duarthatë, kanë protestuar në rrugë paqësore si në protestat e kaluara”.
Tutje, Ramizi e ka përshkruar momentin se kur kanë filluar protestuesit të sulmoheshin nga policia rumune.
“Pas përfundimit të fjalimit të z. Albin Kurti, ne protestuesit që kemi qenë në rreshtin e parë, kemi filluar t’i largojmë barrierat që ishin vendosur në rrugë, për ta ndërprerë rrugën tonë për të mos vazhduar tutje. Më kujtohet si sot thirrja e Kurtit ishte ‘Ne do të vazhdojmë me itinerarin tonë dhe sikur ishte në protestën e kaluar dhe do të vazhdojmë drejt institucioneve, pastaj do të vazhdojmë rrugës tonë qysh kemi vazhduar drejt Vetëvendosjes dhe deri në LVV. Ky ka qenë fjalimi para se të fillonte konfrontimi me policinë”.
“Kur ne kemi filluar t’i largojmë barrierat e metalta për një kohë ka filluar të bie gazi lotsjellës mbi ne, turma ka filluar të shpërqendrohet disa protestues kanë filluar t’i marrin bombolat e gazit dhe t’i kthejnë mbrapa”.
“Kur u kthyen mbrapa bombolat e gazit e ka pësuar policia e Kosovës bashkë me qytetarët tanë, atëherë ka filluar të tërhiqet anash policia e jonë. Më pas dolën në pah Policia e Rumanisë, dhe kanë filluar të gjuajnë me plumba duke marrë shenjë, do të thotë nuk kanë gjuajtur në tokë, ata kanë marrë në shenjë protestuesit në pjesën e epërme dhe kjo ka qenë qëllim i vrasjes së protestuesve paqësor”, ka thënë Ramizi.