Ish-kryediplomati kosovar, Petrit Selimi, ka thënë se nëse vërtet ka një udhërrëfyes të ri për Kosovën, BE-ja po realizon politikë raciste kundër Kosovës.
“Katër vjet pasi Kosova përmbushi 100% udhërrëfyesin më të gjatë të liberalizimit të vizave Oliver Varhelyi shpall një “udhërrëfyes” të ri për Kosovën për të përmbushur më shumë kushte për “korrupsionin” dhe “kontrabandën”. Nëse kjo është e vërtetë, le të mos jetë gabim: BE-ja tani është në prag të adoptimit të politikës së hapur raciste”, ka shkruar Selimi në ‘Twitter’.
Selimi tha se BE-ja nuk e kishte problem të miratonte lirinë e vizave me Meksikën, Hondurasin, apo edhe me Venezuelën e Maduros, por se këtë e ka me Kosovën.
“Kosova është vendi më pro BE-së në Ballkanin Perëndimor, më pak e korruptuar dhe nuk është në asnjë listë të lartë të azilkërkuesve për vite me radhë. Varhelyi thotë se holandezët dhe francezët po kërkojnë një udhërrëfyes. Kjo mund të jetë e vërtetë”, ka deklaruar më tej ai.
“Por, është BE-ja që kolektivisht është e angazhuar në izolimin e të gjithë kosovarëve në një kafaz. Nuk është holandeze. Ose franceze. Është BE-ja. Të gjithë anëtarët kolektivisht dhe të gjitha institucionet në Bruksel kanë vendosur përmes veprimeve të qëllimshme, apo mosveprimit, të na mbajnë si qen të tërbuar në kafaz”.
Karshi kësaj çështjeje ka reaguar edhe ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ndaj idesë së komisionerit për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, për krijimin e një udhërrëfyesi të ri për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Bosch e ka quajtur “të pa kuptimtë” një propozim të këtillë, duke e parë si rast të paprecedent me shtetet e tjera, kur u është ofruar lëvizja lirshëm nëpër zonën Schengen.
“Edhe pse Kosova i plotëson të gjitha kushtet sipas komisionit të BE-së, ky njeri vjen me kërkesa që nuk i kemi bërë kurrë për të gjitha vendet që kanë marrë lirinë e vizave gjatë viteve të fundit. Unë me të vërtetë nuk e di se si të arrihet drejtësia për Kosovën. Si kongresi i PE ashtu edhe i PPE në Roterdam kohët e fundit kërkuan që më në fund të zbatohej liberalizimi, më pas vjen kjo bisedë e pakuptimtë e #Varhelyi”, ka shkruar ish-ambasadori holandez.
Varhelyi tha gjithashtu se Komisioni Evropian është i gatshëm të ndihmojë Kosovën në mënyrë të ngjashme me Shqipërinë për të hartuar një udhërrëfyes, së bashku me vendet anëtare për të adresuar shqetësimet specifike.