Inter ka fituar 4-3 ndeshja e çmendur ndaj Fiorentina, e vlefshme për javën e 11-të të kampionatit italian të futbollit.
Sfida që u luajt në Franchi ka nisur shumë mirë për miqtë, të cilët kanë arritur të gjejnë rrugën e golit pas vetëm dy minutash lojë.
Nicolo Barella ka marrë një pasim të bukur nga Lautaro Martinez në zonën e rreptësisë dhe ka arritur të shënojë me një goditje në rënie e sipër.
Ky është goli i tretë radhazi për mesfushorin italian në tri ndeshjet e fundit të luajtura mes Champions League dhe kampionatit italian. Në minutën e 15-të ka ardhur edhe goli i dytë për zikaltrit. Autori këtë herë ka qenë Lautaro Martinez, i cili ka shënuar pas një aksioni të bukur individual.
Fiorentina ka rihapur ndeshjen në minutën e 33-të. Dimarco ka shkaktuar një faull në zonën e rreptësisë ndaj Bonaventura-s dhe arbitri Valeri ka dhënë penallti pasi ka parë imazhet e VAR. Te pika e bardhë është paraqitur Cabral, i cili nuk ka gabuar.
Pavarësisht penalltisë së dhënë, arbitri nuk ka dhënë asnjë karton për lojtarin e Inter-it duke shkaktuar protestat e Fiorentina-s, që kërkonte ndëshkim me karton të kuq. Një vendim që ka bërë të shpërthejë zemërimi i shumë tifozëve në rrjetet sociale.
Në minutën e 60-të ka ardhur goli i barazimit 2-2 i realizuar nga Ikone, i cili ka mposhtur Onana-n me një goditje shumë të bukur. 13 minuta më vonë Inter është kthyer në avantazh me një penallti të Lautaro Martinez të akorduar pas ndërhyrjes së VAR. Ish-dështimit i Real Madrid, Luka Jovic, ka barazuar për vendasit në minutën e 90-të.
Kur dukej se sfida do të mbyllej në barazim Mkhitaryan ka realizuar golin e katërt dhe i ka dhuruar fitoren skuadrës së Simone Inzaghi-t.