Institucionet publike kanë ndarë para për blerjen e dhurata për fëmijë. Disa prej tyre kanë të specifikuar saktë se çfarë përmbajnë brenda pakot e dhuratave dhe kush do t’i përfitojë ato.
Festat e fundvitit janë në prag.
Praktikë tanimë konsiderohet edhe dhuratat për fëmijë.
Para për to, shpenzojnë edhe institucionet publike.
Presidenca ka ndarë 9 mijë e 900 euro për 533 dhurata për fëmijë.
Shifër të njëjtë ka ndarë edhe Ministria për Kthim dhe Komunitete, por për një grup të caktuar të shoqërisë.
495 dhuratat, të cilat i kanë të specifikuara produktet që do të mbajnë brenda një nga një, janë të destinuara për fëmijët e komuniteteve në nevojë.
Për fëmijët e komuniteteve rom, shkali e egjiptian, edhe Komuna e Prishtinës ndau mjete buxhetore për pako me dhurata, në vlerë prej 3 mijë e 300 euro.
Furnizim me 1 mijë dhurata për fëmijë pati edhe Policia e Kosovës.
Kosto e tyre arrin në 2 mijë e 370 euro, të cilat kanë edhe përshkrimet se çfarë do të përmbajnë e si do të duken në pamje, por jo edhe se cilëve fëmijë do t’i dhurohen.
Para për dhurata, ndau edhe Ministria e Shëndetësisë, specifikisht për Klinikën e Pediatrisë.
Për 100 dhurata gjithsej, u ndanë 950 euro.
Shifrën më të vogël nga këto instiutucione publike për blerjen e dhuratave e pati Zyra e Kryeministrit, me 700 euro gjithsej.
Përpos shifrës, nuk tregohen detaje të tjera në lidhje me këto furnizime.