Rastet e kërcënimeve në Kosovë, janë thuajse të përditshme. Madje shumica e tyre ndodhin edhe për arsye banale, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe tri ditë më parë në Vushtrri.
Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë, bëjnë me dije se vëllai i viktimës, kishte parkuar veturën para shtëpisë së të dyshuarit për një kohë të shkurtër.
Kjo ka bërë që pronari i shtëpisë, të dal i nervozuar e ta ofendojë viktimën, që është vëllai i pronarit të veturës.
Veç ofendimeve, burimet e Sinjalit tregojnë se i dyshuari edhe e ka kërcënuar 33-vjeçarin, çka ka bërë që ky i fundit dy ditë pasi që u kërcënua ta paraqesë rastin në Polici.
Sinjali merr vesh se Policia është aktivizuar për ta kërkuar të dyshuarin, veçse nuk e ka gjetur në shtëpinë e tij dhe tashmë ka iniciuar rastin “Kanosje”.