Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të presidentes Vjosa Osmani në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të shtyrjes së zgjedhjeve në veri.
Ai në Blic Interwie me Astrit Gashin të shtunën ka thënë se LDK “nuk do të bëjë sehire politike’ në rast se Osmani ka shkelur Kushtetutën e vendit.
“LDK-ja do ta vlerësoj nëse ka nevojë dhe nëse ka shkelje kushtetuese ne nuk mundemi të vazhdojmë të bëjmë sehire politike në situata të tilla. LDK nuk do të jetë tolerante ndaj shkeljes kushtetuese në asnjë mënyrë”, ka thënë Haziri në Blic Interview me Astrit Gashin të shtunën.
Ndërkohë, sot janë mbledhur shefat e Grupeve Parlamentare për të diskutuar për hapat e mëtutjeshëm pas vendimit të Osmanit, për shtyrjen e zgjedhjeve në veri.
Abelard Tahiri i PDK-së, Arben Gashi i LDK-së e Besnik Tahiri i AAK-së, janë takuar në për të diskutuar situatën e politike dhe të sigurisë, mundësinë e dërgimit të Vjosa Osmanit në Kushtetuese dhe thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar rreth gjendjes politike dhe të sigurisë në veriun e Kosovës.
Lajmin se janë takuar tre shefat e grupeve parlamentare të opozitës, për Gazeta Blic e ka konfirmuar Besnik Tahiri, shef i GP-së së AAK.
“Kemi diskutuar për situatën aktuale… mundësinë e dërgimit të presidentes në Gjykatën Kushtetuese dhe thirrjen e një seancë të jashtëzakonshme. Mbledhje të Kryesisë së Kuvendit sot nuk do të ketë dhe kjo dëmton rëndë jetën parlamentare në Kosovë, duke parë rrethanat e krijuara”, tha Besnik Tahiri.
Sipas tij, opozita po pret se çfarë mesazhi do të japin nënsekretari i Shtetit Amerikan, Derek Chollet dhe Grabirel EscobAr , të cilët pasdite do të takohen me liderët e institucioneve, por edhe me shefat e partive opozitare.
Zgjedhjet e parapara për 18 dhjetor në veriun e Kosovës, janë shtyre nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas një konsultimi që pati me partitë politik.