Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka njoftuar për media se i ka dërguar një letër kryeministrit Albin Kurti, ku i ka parashtruar disa kërkesa.
Haradinaj në konferencën për media, ka thënë se një nga kërkesat është të shtyhet zbatimi i vendimit për targat ilegale në afatin e kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kërkesa tjetër e drejtuar Kurtit nga ana e Haradinajt, është të mos ndërmerr veprimet që e rrezikojnë sigurinë e vendit.
Kërkesa e tretë e kryetarit të AAK-së drejtuar kryeministrit të Kosovës, është të vendoset kontakt me këshilltarin nacional për siguri të presidentit të SHBA-së, Joe Biden.
“Sot ju kam ftuar që të ju informoj se ju kam drejtuar me letër kryetarit të Qeverisë së Kosovës, z. Kurti, siç vijon, pra i kam kërkuar që me urgjencë të pranon kërkesën e Amerikës për shtyrjen e zbatimit të vendimit për targat ilegale, në afatin e kërkuar, dhe të ndërpriten të gjitha veprimet për zbatimin e vendimit në fjalë. Njëkohësit i kërkoj, kryetarit të Qeverisë, pra me këtë letër, që deri në marrëveshjen finale, të mos ndërmerr asnjë veprim që e rrezikon sigurinë e vendit, në cilëndo pjesë të tij, pa koordinim në plotni me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë kryetari i AAK-së.
“Po ashtu i kam kërkuar kryeministrit që të vej kontakt me këshilltarin nacional për siguri të presidentit Biden, z. Jake Sallivan, për të qartësuar dhe saktësuar veprimet që shtensionojnë situatën aktuale të sigurisë në rajon, deri në marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, për njohjen reciproke. Pra janë këto kërkesa në letër të cilat vinë pas shqetësimit për situatën në veri dhe situatën në kufi, mes Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Haradinaj