Ish i dërguari i Presidentit Donald Trump për dialogun Kosovës dhe Serbisë Richard Grenell ka bërë disa deklarime të rënda gjatë një ligjërate të mbajtur në Fakultetin e Shkencave Politike të mërkurën në Beograd.
Siç shkruan e përditshmja beogradase “Danas”, Grenell ka thënë se fajtorë për mungesën e një zgjidhje në dialogun Kosovë -Serbi janë Bashkimi Evropian që udhëheq procesin dhe Qeveria e Albin Kurtit. Tutje, sipas “Danas” Grenell ka bërë edhe një deklarim absurd duke thënë se KFOR-i duhet të tërhiqet nga Kosova sepse, prania e KFOR-it e zgjat konfliktin dhe e dëmton ekonominë e Kosovës pasi, sipas tij, i pengon kompanitë të investojnë në Kosovë, shkruan gazeta serbe Danas. Grenell po ashtu ka theksuar se “procesi i Brukselit që flet për njohje dhe mosnjohje të Kosovës nuk e zgjidh problemin.
Duke vazhduar tutje, studentët patën gjithashtu mundësinë t’i bënin pyetje Grenellit. Ata u interesuan edhe për qëndrimin e tij në lidhje me sanksionet kundër Rusisë, për të cilin Grenell tha se vendosja e sanksioneve ndaj Nord Stream 2 ishte një gabim.
“Shembulli i çdo vendi është i ndryshëm, nuk dua t’i them Serbisë se çfarë të bëjë në lidhje me sanksionet”, u përgjigj Grenell.