Safet Gerxhaliu, ekonomist kosovar, ka thënë se nuk do të mund të ketë zgjidhje të krizës, në qoftë se Kosova nuk e pranon që ndodhet në një situatë të tillë.
“Nuk ka zgjidhje të krizës, derisa nuk pranohet e vërteta, që Kosova është në krizë,. Inflacioni është duke devalvuar shoqërinë kosovare. Nuk është për t’u krenuar që ke rritje të të hyrave buxhetore, në qoftë se e ke këtë inflacion dhe krahas rritjes së të hyrave në aspektin financiar e ke një tkurrje në aspektin sasior, prandaj kjo është shenja e parë që kriza po thellohet”, ka thënë Gerxhaliu në Info Magazinë në Klan Kosova.
Sipas tij, edhe ekonomitë më të mëdha botërore e kanë pranuar realitetin e krizës.
Ai tha se situata mund të lehtësohet, nëse bëhet ngrirja e akcizës dhe eliminimi i TVSh-së në produkte esenciale.
“Duhet të analizohet ngrirja e akcizës nëpër produkte strategjike, eliminimi i TVSh-së në produkte esenciale”, ka shtuar ai.