![Gërvalla për Berishajn: Nuk shkarkohet ambasadori në bazë të informacionit të një mediumi Gërvalla për Berishajn: Nuk shkarkohet ambasadori në bazë të informacionit të një mediumi](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2022/04/MartinBerishaj-531x360-1.jpg)
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka treguar se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, për të cilin u raportua në mediat sllovene se është i përfshirë në një skandal financiar, ka qenë në Ministrinë e Jashtme dhe ka biseduar me të.
Gërvalla tha se ende s’ka asnjë indikacion kundër ambasadorit, prandaj s’mund ta shkarkojë.
Dua të jem shumë e sinqertë, ambasadori nuk pezullohet apo shkarkohet në bazë të një informacioni të një mediumi pa pasë informata të tjera. E patë që edhe Prokuroria e Malit të Zi e dha një informacion që kanë pasë hetime dhe kanë rezultuar se nuk ka asnjë vepër penale, të cilën mund ta ketë kryer ambasadori Berishaj. Ky është pozicioni ynë deri më tani, në mungesë të qoftë edhe një indikacioni të vetëm kundër ambasadorit Berishaj”.
Gërvalla tha se Berishaj gëzon besimin e tyre dhe se do të vazhdojë punën e tij në Kroaci “ashtu siç ka shkuar”.
E kam një deklaratë të gjatë disafaqëshe të ambasadorit Berishaj me shkrim. Ai ka qenë në Ministri dhe kemi biseduar gjerë e gjatë rreth asaj që ne ende e konsiderojmë si kampanjë të bazuar në një shkrim të një mediumi slloven, i cili pastaj ka marrë dhenë. Kam biseduar me autoritete të shteteve të ndryshme lidhur me këtë dhe deri në këtë moment që ne po flasim nuk ka asnjë indikacion që në akuzat e përmendura mund të ketë diçka të vërtetë”.
Gërvalla tha se ka edhe raportime të mediave sllovene, kroate dhe të tjera që e tregojnë “pikërisht të kundërtën” e raportimit që pati mediumi slloven.