Home Opinione Epoka e kësaj qeverie, kësaj legjislature është epokë e kretinizmit moral dhe politik

Epoka e kësaj qeverie, kësaj legjislature është epokë e kretinizmit moral dhe politik

0
Epoka e kësaj qeverie, kësaj legjislature është epokë e kretinizmit moral dhe politik

Shkruan: Besa Ismaili

Situata tashmë një mujore me grevat, është e mbërthyer fund e kryer në konceptin e kretinizmit
Nuk mund të gjesh fjalë tjetër që përshkruan më saktë gjithë çfarë kemi parë dhe dëgjuar deri tani dhe posaçërisht tani e një muaj në skenën publike dhe politike në Kosovë.

Epoka e kësaj qeverie, kësaj legjislature është epokë e kretinizmit moral dhe politik.

Karl Marksi kishte sajuar këtë term togfjalësh ‘kretinizmi parlamentar’ kur i referohej revolucionit francez dhe nënkuptonte që kretinizmi parlamentar krijoi një botë imagjinare, të pa kuptim, të pa memorie dhe pa ndjesi për botën reale.

Më pas ishte, autori Allen Bullok, që sajon edhe togfjalëshin ‘kretinizëm moral’ kur i referohej biografisë së Hitlerit, respektivisht politikës e cila nuk posedonte ndjeshmëri morale, ku mirësjellja dhe dhembshuria nuk ekzistonin dhe ku kishte një përmbysje totale të sistemit të vlerave. Në ilustrimin më adekuat, kretinizmi moral, përbën situatën ku linçuesit marrin mbështetje më të madhe politike sesa i linçuari, dhe ku indiferenca, injorimi, përbuzja dhe paftyrësia e politikanëve dhe pushtetarëve sistemohen si vlera të reja.

Mbledhja e Komisionit Parlamentar për Arsimit, e cila dy ditë rradhazi u mbajtë me përfaqësuesit e sindikatave greviste, publikisht dhe brutalisht u bë skenë jetësimi kretinesk.

Gjithë energjia e përfaqësuesve të shumicës të pranishëm në komisionin për arsim, me ndonjë përjashtim, ishte shpërndarë në prodhimin e konflikteve të reja, përbuzjeve të reja, diskreditimeve të reja.

Përfaqësuesit e sindikatave, në tabelë të çitjes nga përfaqësuesit e shumicës, duhej të vinin me përgjigje të përsosura profesionale të kontabilistit, auditorit, psikologut, diplomatit dhe akademikut për të kënaqur kriteret kretine të përfaqësuesve të LVV-së për t’u kualifikuar për ‘ato 50 eurot e famshme’.

Dhe nuk ndodhte dot, as s’kishte si të ndodhë, sepse përgjigjet për pyetjet gjendeshin tek akuzuesi dhe jo tek të akuzuarit. Përfaqësuesit e sindikatave ishin aty për shpalosur derte dhe kërkuar derman. Ata nuk ishin aty për të shpalosur ekspertizë. Por edhe sikur të jepnin përgjigjet e sakta, është porsi situata me ato “Lojërat Shpërblyese” ku në fakt shpërblimi nuk ekziston, por skema e mashtrimit mbledhë paratë për vete.

Aq mendjemëdhenj, cinikë dhe arogantë ishin kryetari i komisionit për arsim, z. Gola dhe ministrja e arsimit, znj. Nagavci, sa ishin bërë totalisht imun ndaj dijes. Kretinë politik dhe moral siç ishin, ata përfunduan mbledhjen si triumfues ndaj shqetësimeve për mbijetesë dhe dinjitet që po shpalosnin përfaqësuesit e sindikatave.

Turp! Turp! Turp!

Exit mobile version