Shkruan: Ramiz Lladrovci
Është e njohur politika Kosova centriste e proklamuar nga një dorë e politikanëve që mendonte se e kanë shpikur atdhetarizmin e Kosovës, por, ajo politikë dështoi. Për fat të keq, në dy a tri vitet e fundit, po përsëritet.
Politika Kosova centriste, Kosovën e sheh të ndarë nga tërësia e kombit, duke parë zi e terr nga Shqipëria e duke mos parë as rreziqet as terrorin shtetëror që na bënte Serbia gjenocidale.
Këta politikanë Kosova centristë, e kanë mjeshtri mashtrimin, nuk e njohin ndonjë vlerë kombëtare përtej Kosovës. Për fat të keq, tre krerët e shtetit që merren me politikën e jashtme, po i bien të njëjtit tel, nuk po ia atribuojnë asnjë meritë, fjalimit epik të kryeministrit Rama në OKB.
Po të shihet fjalimi, lidhur me shtetin dhe shtetësinë, për UÇK-në, udhëheqjen e saj dhe padrejtësitë kundrejt Kosovës, udhëheqësit e Kosovës do të duhej të kenë qasje krejt tjetër që po manifestojnë.
Gjithsesi, këta Kosova centrist, nuk marrin mësime as nga Fishta në Konferencën e Paqes, as nga Noli, në Asamblenë e Kombeve. Për më keq, nuk morën mësim as nga fjalimet e Ramiz Alisë më 1990, as së fundmi nga Edi Rama në OKB.
Edi Rama meriton falënderim të sinqertë, jo akuza të mjegullta e konspiracione.
Politika e tryezave globale si ajo e OKB-së, lidhur me Kosovën, aty ku nuk mund të jetë vet Kosova e përfaqësuar, mendoj që Shqipëria duhet ta thotë fjalën e vet, pa pyetur askënd, as Kosova centristët.
Është e kuptueshme se të jesh me mendjemadhësinë më të madhe se shteti dhe traditën shtetërore që përfaqëson, është problem për vetë Kosovën.
Edi Rama këto kritika koti i përballon, por, meskiniteti, shpirtngushtësia dhe zilia e politikanëve të Kosovës, kundrejt Shqipërisë, mbetet brengë. Sidomos, për ata që konsiderojnë se Kosova pa përkrahjen e Shqipërisë nuk do të çlirohej dhe se Kosova centrizmi i bën dëm shëndetit nacional.