Kryeministri Albin Kurti do që të ketë kontroll të plotë në përzgjedhjen e njerëzve që janë të involvuar në proceset e tenderëve. Kjo mund të konstatohet pasi qeveria ka proceduar në atë mënyrë që të mos ftohet Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë në përzgjedhjen e bordeve që bëjnë mbikëqyrjen e Ligjit të Prokurimit Publik, dhe të ndarjes së drejtësisë në tender, shkruan Periskopi.com.
Partia në pushtet nëpërmjet Kuvendit ka emëruar dy anëtarë të Bordit për Komisionin Rregulltiv të Prokurimit Publik -KRPP.
Anëtarët më të rinj për Bord të KRPP-së janë, Avni Sahiti dhe Fidane Spahija-Gjikolli. Propozimin e tyre e ka bërë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Në CV-të e tyre që ua ka lexuar ajo është vërejtur se asnjëri nga kandidatët nuk kanë njohuri as përvojë në prokurimin publik.
Qeveria e Kosovës ka pasur marrëveshje me Ambasadën britanike në Prishtinë që të asistohet në procesin e rekrutimit të Bordeve, por siç ka mësuar Periskopi, ambasada nuk është përfshirë në proces, pasi Qeveria nuk e ka ftuar fare gjatë procesit të konkursit.
E përzgjedhura, Fidane Spahija-Gjikolli rezulton të jetë vajza e një aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë, bëhet fjalë për aktivistin Hidaverid Spahija.
KRPP-ja ka qenë minus dy anëtarë që disa vite nga gjithsej pesë sa duhet të ketë. Mandati i anëtarit të Bordit është pesë vjeçare.
Para pak ditësh, Qeveria i kishte rekomanduar për herën e dytë Kuvendit edhe emrat për anëtarë të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit -OSHP. Pasi kishin bërë rekomandimin e tyre për kandidatët në konkursin e parë, në konkursin e dytë, Ambasada britanike nuk ka marrë pjesë në rekrutim. Periskopi ka raportuar se tre nga emrat e propozuar janë propozuar nga Qeveria pa konkurruar farë në konkurs, disa nga ta kanë pasur pikë më së paku gjatë vlershmit të CV-ve të tyre.