Pas takimit të përfaqësuesve me subjektet politike, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim me koncensus që të shtyhen zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore deri në prill të 2023-ës.
Këtë gjë e ka bërë të ditur vetë Osmani me anë të një konference për media, duke thënë se vendimi është marrë pas një raporti të dërguar nga KQZ dhe institucionet e sigurisë për gjendjen në terren.
“Përgjatë gjithë kësaj periudhe, kam qenë në kontakt të përditshëm me institucionet e sigurisë. Kam kërkuar raport të përbashkët mes Policisë dhe AKI-së, ky dokument më është dorëzuar përpara pesë ditësh. Propozimi im sot në këtë takim ishte që të shtyheshin zgjedhjet për kryetar komunash. Diskutuam rreth datës më të përshtatshme dhe në fund me koncensus të plotë, erdhëm në konkluzion që të shtyhen për muajin prill të vitit të ardhshëm”, ka deklaruar ndër të tjera ajo.
E para e vendit ka thënë se përgjatë së shtunës, ose së dielës pritet të bëhet e ditur data e saktë e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri.