Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson, njëkohësisht dhe liderja e socialdemokratëve ka dhënë dorëheqje nga pozita e saj si kryeministre, pas humbjes së zgjedhjeve parlamente.
Kryeministrja socialdemokrate e Suedisë, Magdalena Andersson, ka pranuar humbjen të mërkurën, dhe ka njoftuar se do të japë dorëheqje nga pozita e saj si kryeministre, pasi opozita shënoi një fitore në një nga zgjedhjet më të afërta ndonjëherë në vendin më të madh nordik.
Me 99% të votave të numëruara, vetëm një pjesë e vogël e votave mbeten të pacaktuara, por Andersson, e cila u bë kryeministrja e parë grua e Suedisë vitin e kaluar, ka thënë se rezultatet treguan se kundërshtarët e saj kanë fituar.
“Kështu që nesër do të dorëzoj dorëheqjen time si kryeministre, dhe përgjegjësia për procesin e vazhdueshëm do t’i shkojë kryetarit,” u ka thënë Andersson, gazetarëve gjatë një konferencës për shtyp.
Zgjedhjet e së dielës ishin aq afër sa dhjetëra mijëra vota nga jashtë, dhe ato të hedhura paraprakisht duhej të numëroheshin për të vërtetuar rezultatet.
Megjithatë, posti i Kryeministrit sipas të gjitha gjasave do t’i shkojë kreut të Partisë së Moderuar, Ulf Kristersson, pasi kreu i Social Demokratëve, Jimmie Akesson nuk është në gjendje të bashkojë të katër partitë për të drejtuar qeverinë, raporton France 24, transmeton Dukagjini.
“Tani filloj punën për formimin e një qeverie të re dhe të fortë”, ka thënë Kristersson në një video të postuar në Facebook.
Po ashtu, në një postim në Facebook të mërkurën, Akesson, ka falënderuar “miqtë e Suedisë”, në mbarë vendin. “Tani fillon puna për ta bërë Suedinë përsëri të madhe,” ka deklaruar kreu i partisë.
Formalisht, procesi i ndryshimit politik mund të nisë vetëm pas njoftimit të dorëheqjes së kryeministrit Andersson të enjten.
Ndërsa, kryetari i organit më të lartë vendimmarrës i Suedisë, “Riksdag”, mund t’i japë Ulf Kristersson-it detyrën për të formuar një shumicë mes katër partive, duke hapur një periudhë negociatash.
Zgjedhja e kreut të ri të qeverisë nuk mund të bëhet më së shpejti më 27 shtator, kur parlamenti të rihapet.