Futbollisti argjentinas është lodhur duke e pritur Barcelonën dhe ka vendosur t’i thotë “Po” Juventusit.
Menaxherët e futbollistit kanë konfirmuar se bisedimet janë në mbyllje e sipër dhe po priten edhe detajet e fundit për ta mbyllur çështjen.
Përfaqësuesi argjentinas kishte hezituar me javë të tëra që ta merrte vendimin për të ardhmen pasi u largua nga Paris Saint-Germaini si lojtar i lirë.
Ai i kishte konsideruar të dyja opsionet, “Bianconeri” dhe Barcelona, ndërsa një sy e ka të fokusuar tek Amerika e Jugut pas Botërorit 2022.
Di Maria pritet ta nënshkruajë një kontratë njëvjeçare me Juven dhe pritet të paguhet 7 milionë euro plus bonuset, ndërsa është në opsion mundësia e vazhdimit të saj për një vit tjetër.
Fillimisht, Di Maria kërkonte më shumë para, por në fund lëshoi pe dhe e pranoi ofertën e gjigantit italian.