Një ngjarje shumë e rëndë është raportuar të ketë ndodhur së fundi në Prishtinë.
Pesë meshkuj dyshohet të kenë dhunuar një e mitur 11 vjeçare.
Lidhur me këtë rast ka reaguar presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila theksoi se është tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçare.
“Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe. Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët”,tha Osmani.
Presidentja tha po ashtu se dhunimi seksual sikurse edhe të gjitha format e dhunës ndaj vajzave e grave përbëjnë kërcënim për të gjithë dhe shpërfaqin një plagë serioze në shoqërinë tonë.
Osmani tha se kryesit e këtyre veprave duhet të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë dhe se nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të jetë i pasigurt për vajza e gra.
“Për fat të keq, për vite me radhë, në raste të caktuara kemi parë mostrajtimin e barabartë të jetës së grave dhe të burrave, fajësimin e viktimës e jo të dhunuesit e deri të rastet me dënime edhe më të ulëta se sa ato që parashihen me ligj. E kjo, vetëm sa i ka inkurajuar keqbërësit e dhunuesit. Prandaj, kërkoj nga organet e drejtësisë që ta eliminojnë në tërësi seksizmin dhe pabarazinë në vendimet gjyqësore si dhe nga institucionet e sigurisë që të rrisin nivelin e mbrojtjes për vajzat e gratë që janë viktima të dhunës. Është koha poashtu, që të procedojmë me ndryshime legjislative që ashpërsojnë edhe më tej dënimet ndaj dhunuesve”,shtoi ajo.
Osmani tha se është përgjegjësi e jona kolektive të kujdesemi që të gjithë fëmijëve t’u garantojmë fëmijëri të dinjitetshme dhe të eliminojmë dhunën mbi baza gjinore.