Home Ballina Deklarata e djeshme e Putinit, po cilësohet në Serbi si njohje e pavarësisë së Kosovës nga ana e tij

Deklarata e djeshme e Putinit, po cilësohet në Serbi si njohje e pavarësisë së Kosovës nga ana e tij

0

Të paktën dy njohës serb të diplomacisë, diplomati dhe profesori universitar Srecko Gjukiq, e edhe komentatori dhe njohësi i politikës së jashtme Bosko Jaksiq, kanë thënë sot për mediat serbe, se deklarata e presidentit rus Vladimir Putin, dje gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB’së, Antonio Guterres, se duhet të njihet pavarësia e Donteskut dhe Luhanskut njejtë siç është njohur pavarësia e Kosovës, i bie de fakto njohje e kësaj të fundit nga ana e Putinit.

Diplomati Srecko Gjukiq në një bisedë për gazetën serbe Danas, tha se Vladimir Putin, duke deklaruar se vetëvendosja dhe pavarësia e Republikave Popullore të Donetskut dhe Luhanskut (DNR dhe LNR) bazohen në precedentin e Kosovës, në fakt deklaroi se e njeh pavarësinë e Kosovës.

Në një takim dje me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, Putin tha se republikat e vetëshpallura të DNR dhe LNR u bënë të pavarura në analogji me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, e cila, siç tha ai, u mbështet nga të gjithë, përcjell Gazeta Online Reporteri.net.

“Në fakt, Putin deklaroi se ai njeh pavarësinë e Kosovës dhe gjithçka që Kosova dhe sponsorët e saj kanë bërë për këtë”, tha për Beta Srecko Gjukic, një ish-ambasador në Minsk dhe anëtar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Siç tha ai, precedenti njihet si pjesë e së drejtës ndërkombëtare dhe “këtyre fakteve të paraqitura dje, duhet shtuar se pala ruse në vitin 2008 i është referuar precedentit të Kosovës në rastin e shpalljes së pavarësisë së Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë dhe njohjes së tyre nga Moska”.

“Me këtë lëvizje, Moska ndoshta ka ndërmarrë një hap vendimtar në njohjen e Kosovës dhe sigurisht në lehtësimin e pozitës për zgjidhjen e saj ndaj Uashingtonit dhe gjithë Perëndimit,” tha Gjukiç.

Ai shtoi se Beogradi, si shumë herë, mbetet në binarin historik të moskuptimit të interesave dhe marrëdhënieve të të mëdhenjve, duke ndjekur verbërisht politikën e dy-tri karrigeve, e cila përfundimisht u shndërrua në politikë të “Noes”.

Ndërsa komentatori i politikës së jashtme në Serbi, Bosko Jaksic në një bisedë për agjencinë e lajmeve Beta, tha se beson se mesazhi i djeshëm i Putinit në takimin me Sekretarin Guterres është “e vërteta më e dhimbshme për cinizmin dhe standardet e dyfishta të fuqive të mëdha që kanë ekzistuar gjithmonë.

“Putin padyshim e kishte në kokë Kosovën menjëherë para pushtimit rus të Ukrainës dhe para njohjes së republikave të pavarura të Donjeckut dhe Luganskut. Tani Perëndimi dhe Rusia janë në një ngërç. Nga njëra anë, Perëndimi akuzon Putinin për inkurajimin e separatizmit në Ukrainë, dhe nga ana tjetër, Moska përgjigjet se Perëndimi inkurajoi separatizmin në të njëjtën mënyrë kur Kosova shpalli pavarësinë. Kjo ka nxjerrë në shesh të vërtetën më të dhimbshme, dhe ajo është se fuqitë e mëdha janë absolutisht të gatshme të përdorin standarde të dyfishta. Nuk ka dallim mes Amerikës dhe Rusisë në këtë”, ka thënë Jakshiq.

Ai vlerëson se thirrja e Putinit për rastin e Kosovës do të ketë pasoja në Republikën Srpska, ku retorika e Milorad Dodikut për vetëvendosje vetëm sa do të intensifikohet.

“Si aleati më besnik i Moskës, Dodik do të marrë inkurajim të ri nga Putin për të shkuar në hartën e vetëvendosjes. Këto janë lëvizjet që lexohen në Perëndim si ndikim malinj i Rusisë në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Jakshiq.

Kujtojmë se Putin në një bisedë me Guterres ka thënë se Republika Popullore e Donetskut dhe Republika Popullore e Luhanskut janë bërë të pavarura në analogji me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën.https://reporteri.net/reklamap/www/delivery/afr.php?zoneid=19&cb=INSERT_RANDOM_NUMBER_HERE

“Jam shumë mirë i njohur, personalisht i kam lexuar dokumentet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së për Kosovën. Më kujtohet mirë vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili thotë se gjatë realizimit të së drejtës për vetëvendosje, një territor i caktuar i asnjë shteti nuk është i detyruar të kërkojë leje nga autoritetet qendrore për të deklaruar sovranitetin e tij. Kështu u tha në lidhje me Kosovën dhe ky është vendimi i gjykatës ndërkombëtare. Ky vendim u mbështet nga të gjithë. Unë personalisht lexova të gjitha komentet e autoriteteve amerikane, të vendeve evropiane, të gjithë e mbështetën. Nëse është kështu, atëherë DNR dhe LNR kanë të njëjtën të drejtë të deklarojnë sovranitetin e tyre, pa iu drejtuar autoriteteve qendrore të Ukrainës, sepse është krijuar një precedent”, ka thënë Putin

Exit mobile version