Prindon Sadriut po i lejohet ta bëjë edhe një punë tjetër edhe pse kjo është e ndaluar me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm.
Siç figuron në Facebookun e Prindon Sadriut, përveç që është me mision diplomatik në Shkup, ai ka filluar të punojë edhe në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL).
Sadriu e ka publikuar në Facebook më 26 shkurt të këtij viti se është duke punuar në këtë universitet edhe gjatë kohës sa ishte i ngarkuar me punë të ambasadorit në Maqedoninë e Veriut.
Sipas Ligjit për Shërbimin e Jashtëm është e ndaluar çdo veprimtari fitimprurëse në shtetin ku shërben një diplomat dhe në këtë rast nuk i lejohet as Prindon Sadriut.
“Të mos ushtrojë në shtetin ose shtetet ku është akredituar veprimtari tregtare ose çdo veprimtari tjetër fitimprurëse për llogari të tij ose të familjes së tij”, thuhet në nenin 31, pika 1.10 e këtij ligji, Demokracia.com
Sadriu njihet edhe për gjuhën e tij brutale ndaj mediave, pasi që muaj më parë i kishte quajtur mediat e Kosovës edhe si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”, për çka nxiti reagime të shumta.
Por që ai nuk u ndëshkua asnjëherë nga MPJD-ja, e cila udhëhiqet nga Donika Gërvalla-Schwarz.
Derisa kujtojmë rastin për të cilin GazetaInsajderi ka raportuar ditë më parë ku Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës është dënuar me 13 mijë euro gjobë , pasi që ka refuzuar t`i ofroj Gazetës Insajderi faturat e shpenzimeve të diplomatit Prindon Sadriu, që është edhe bashkëshorti i Presidentes së vendit. MPJ me taksa të qytetarëve kosovarë paguante derivatet për udhëtimin e Sadrit nga Kosova në Maqedoni aty ku shërbente si zëvendësshef i misionit.
Shteti është pajtuar që në këmbim të fshehjes së faturave të shpenzimeve të udhëtimit të Prindon Sadriut, në destinacionin Kosovë – Maqedoni, të paguaj 13 mijë euro gjobë.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, as pas katër muajsh që kur Gazeta Insajderi ka kërkuar qasje në shpenzimet e Prindon Sadriut që paguhen me taksat e qytetarëve, nuk ka lejuar që ato të bëhen publike. Kjo ministri, ku punon e nga ku merr pagë Sadriu, i kaloi të gjitha afat ligjore për qasje në dokumentet publike.
Pasiqë përsëri Ministria e Gërvallës heshti, Agjencia shqiptoi sot edhe gjobën e dytë.
“Shqiptohet gjobë për moszbatim të vendimit të datës 02.06.2022 në shumën prej 10 mijë euro për pamundësinë e realizimit tët të drejtës për qasje në dokumentet publike”, thuhet në vendimin e 22 korrikut të AIP-as