Home Lajme Borell mbështet “Ballkanin e Hapur”: Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është në interesin tonë të përbashkët

Borell mbështet “Ballkanin e Hapur”: Anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE është në interesin tonë të përbashkët

0

Josep Borrell, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, është deklaruar rreth Ballkanit të Hapur, duke thënë se një proces që përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor.

Borrell ka shtuar se, rajoni duhet të bëjë përparim në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal.

“Angazhimi i liderëve për bashkëpunimin rajonal është një element thelbësor i perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe një pjesë integrale e Procesit të Stabilizim Asociimit. E kuptoj plotësisht dëshirën për të ecur përpara. Në të njëjtën kohë, një proces që përfshin të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor është thelbësor. Në këtë kontekst, është e rëndësishme që rajoni të bëjë përparim në krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, që është një angazhim politik i bërë nga gjashtë liderët e rajonit në samitin në Sofje. Nëpërmjet Planit Ekonomik dhe Investimeve, ne po sjellim mundësi të konsiderueshme investimi në rajon. Tani i takon rajonit t’i përdorë ato mirë duke realizuar potencialin e tij të plotë ekonomik dhe duke krijuar një treg të përbashkët rajonal bazuar në rregullat e BE-së”, ka thënë Borrell.

Ai po ashtu është deklaruar edhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, duke thënë se anëtarësimi është bazuar në merita dhe se çdo vend duhet të përmbushë standardet që mbështesin vlerat thelbësore të BE-së.

“Unë besoj fuqishëm se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian është në interesin tonë të përbashkët dhe do të forcojë gjeopolitikisht si BE-në ashtu edhe rajonin. Anëtarësimi në BE është një proces i bazuar në merita. Çdo vend kandidat duhet të përmbushë standardet dhe rregullat që mbështesin vlerat thelbësore të BE-së dhe të zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjitha shtetet anëtare. Kushtet janë të qarta dhe i takon kandidatëve t’i përmbushin ato. Kjo është arsyeja pse është e vështirë të caktohet ndonjë kornizë kohore e saktë, pasi procesi është kryesisht në duart e partnerëve tanë”, ka vijuar tutje përfaqësuesi i BE-së.

Më tej, ai ka thënë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE dhe se ata janë të përkushtuar për avancimin e procesit të anëtarësimit të tij.

“Këshilli Evropian ka konfirmuar vazhdimisht angazhimin e tij të qartë ndaj perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, e ardhmja e rajonit është në BE. Ne jemi të përkushtuar për avancimin e procesit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor. BE-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj të fortë politike, teknike dhe financiare për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i ndihmuar ata të avancojnë reformat kyçe politike, institucionale, sociale dhe ekonomike të nevojshme për përparimin në rrugën drejt BE-së”, ka deklaruar pos tjerash Borrell. 

Exit mobile version