![Blinken tregon përmbajtjen e bisedave telefonike me Kurtin dhe Vuçiqin Blinken tregon përmbajtjen e bisedave telefonike me Kurtin dhe Vuçiqin](https://gazetascanner.com/wp-content/uploads/2022/06/blinken-1.jpg)
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se sot ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Blinken, përmes postimeve në rrjetin social Twitter, ka treguar se gjatë bisedës me Kurtin kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe përpjekjet drejt integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës.
“Pata një bisedë të mirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Ne theksuam sesa i rëndësishëm është bashkëpunimi ynë bilateral dhe përpjekjet drejt integrimit evropian dhe euroatlantik. E falënderova edhe për mbështetjen e palëkundur të Kosovës ndaj Ukrainës”, ka shkruar Blinken.
Sekretari amerikan gjithashtu ka treguar përmbajtjen e bisedës me presidentin serb, Vuçiq.
“Kisha një bisedë produktive me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ne diskutuam rëndësinë e partneritetit tonë dypalësh dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Serbisë për integrimin evropian, paqen dhe stabilitetin rajonal. E urova Serbinë për hapjen e ambasadës së re në Uashington D.C.”, ka shkruar Blinken.