Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka kërkuar reagim nga Presidentja Vjosa Osmani lidhur me shtrenjtimin e rrymës. Deliu përmendi edhe deklaratën e diplomatit Prindon Sadriu, bashkëshortit të Presidentes, i cili i quajti mediat ndërmarrje e përbashkët kriminale.
Deliu tha në Kuvend se deklarata e Sadriut është e frikshme, duke e lidhur atë me aktakuzën e Prokurorisë së Specializuar në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së.
“Për më tepër, zonja Osmani po hesht edhe karshi deklaratës së frikshme të bashkëshortit të saj, i cili paturpësisht median e quajti si ndërmarrje të përbashkët kriminale. Pra, Prindon Sadriut duket se nuk i ka mjaftuar jetësimi i dëshirës për kirjimin e një aktakuze monstruoze me dokumente të sponsorizuara e të fabrikuara nga Serbia e Rusia të cilat e portretizojnë UÇK-në si ndërmarrje të përbashkët kriminale. Tani, Z. Sadriu me gjuhën e zyrtarëve serbë, në mënyrë skandaloze e të papranueshme për një Zotëri të parë dhe diplomat, i cilëson mediat si ndërmarrje e përbashkët kriminale”, tha Deliu.
Raportimet e mediave për shpenzimet e presidentes Vjosa Osmani për udhëtim gjatë kohës sa kjo kishte qenë deputete në Kuvendin e Kosovës, kanë bërë që zyrtari i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu, t’iu vërsulet mediave me një gjuhë të rëndë dhe denigruese.
Sadriu i ka quajtur gazetarët e Kosovës një “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, pasi në media është raportuar se Vjosa Osmani sa kishte qenë deputete kishte shpenzuar për udhëtime në vitet 2012, 2013, 2014 edhe përkundër faktit se në një status të saj publik kishte konfirmuar se në Prishtinë jeton që nga viti 2012.
Sadriu postimin e tij e ka fshirë më pas, por Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagoi me shqetësim, duke e dënuar gjuhën e përdorur.