Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka hedhur deklarata të rënda për situatën e djeshme të krijuar nga protestuesit serbë që kanë protestuar afër pikës kufitare në Jarinjë.
Përmes një statusi në Facebook, Bislimi ka deklaruar se dje Serbia nuk i ka ndaluar huliganët serbë afër Jarinjës, të cilët sipas tij kanë pasur për qëllim djegien e pikës kufitare atje.
Bislimi ka deklaruar se ky ka qenë një plan ruso-serb, ndërsa autori i vërtetë është presidenti rus, Vladimir Putin.
“Intensiteti i sulmeve hibride të Serbisë dhe Rusisë ndaj Republikës së Kosovës është rritur ndjeshëm. Grafiku i punuar nga institucionet e sigurisë, që pasqyron vetëm krizën e djeshme në Jarinjë, tregon qartë edhe aktorët e përfshirë dhe autorin e vërtetë, Putinin. Ka pasur plan ruso-serb, që dje të digjej pika kufitare e Jarinjës. Ky plan u parandalua nga institucionet e Republikës së Kosovës (veçmas mekanizmat e sigurisë), në bashkëpunim me partnerët perëndimorë (veçmas amerikanët)”, ka shkruar Bislimi.
Ai ka thënë se pavarësisht se policia serbe dje është shfaqur duke i ndaluar huliganët që mos ta djegin Jarinjën, ky sipas Bislimit “quhet vetëm një akt tërheqjeje nga ana serbe, duke e parë se një gjë e tillë do t’iu dështonte”.
Postimi i plotë:
DJE SERBIA NUK I NDALOI HULIGANËT SERBË – AJO U TËRHOQ NGA PLANI PËR DJEGIEN E JARINJËS
Intensiteti i sulmeve hibride të Serbisë dhe Rusisë ndaj Republikës së Kosovës është rritur ndjeshëm.
Grafiku i punuar nga institucionet e sigurisë, që pasqyron vetëm krizën e djeshme në Jarinjë, tregon qartë edhe aktorët e përfshirë dhe autorin e vërtetë, Putinin.
Ka pasur plan ruso-serb, që dje të digjej pika kufitare e Jarinjës.
Ky plan u parandalua nga institucionet e Republikës së Kosovës (veçmas mekanizmat e sigurisë), në bashkëpunim me partnerët perëndimorë (veçmas amerikanët).
Pavarësisht se policia e Serbisë, dje u shfaq duke i ndaluar huliganët që mos ta djegin Jarinjën, ky quhet vetëm një akt tërheqjeje nga ana serbe, duke e parë se një gjë e tillë do t’iu dështonte.
Siç e ka Serbia aleat Rusinë e Kinën, ne e kemi aleat Perëndimin dhe SHBA-në.
Ata përfaqësojnë agresionin, ne përfaqësojmë lirinë!