Besa Ismaili thotë se banorët shqiptarë të Veriut, janë anashkaluar tërësisht nga qeveria e Kurtit, edhe gjatë krizës së ditëve të fundit, raporton Scanner
Në një postim në Facebook, Ismaili shkruan se banorët serbë të Veriut, marrin kujdesin nga qeveria e Serbisë por edhe kanë prioritet për dialogun lokal me qeverinë e Kosovës.
Postimi i plotë:
Banorët shqiptarë të Veriut, janë anashkaluar tërësisht nga qeveria e shpresës së rreme Kurti, edhe gjatë krizës së ditëve të fundit.
Banorët serbë të Veriut, marrin kujdesin nga qeveria e Serbisë por edhe kanë prioritet për dialogun lokal me qeverinë e Kosovës.
Unë besoj dhe e mbështes dialogun me Serbinë, respektivisht bisedimet për arritjen e paqes dhe njohjen reciproke. Dialogu duhet të bëhet edhe banorët shqiptarë dhe masat e qeverisë Kurti duhet t’u sqarohen edhe banorëve shqiptarë dhe jo vetëm atyre serbë.
Kryeministri Kurti duhet të ndaloj gabimet e tij të deritanishme të mospërfshirjes së shqiptarëve të Veriut në vendimmarrjen që afekton sigurinë, mirëqenien dhe paqen e tyre. Banorët e shumëpërvuajtuar shqiptarë të Veriut duhet të jenë pjesë e proceseve të qeverisë për dialog dhe bashkëpunim me komunitetet në Veri, për çfarë po rekomandon edhe faktori ndërkombëtar, me të drejtë.
Çdo vazhdimësi e këtij anashkalimi nga ana e qeverisë Kurti, të banorëve shqiptarë të Veriut, përveç që përbën shkelje të të drejtave të garantuara ligjore dhe kushtetuese, dështon edhe çfarëdo përpjekje për funksionalitet tërështetëror të Republikës sonë.