Anëtarja e PDK-së, Besa Ismaili, ka reaguar pas aksidentit të djeshēm në Podujevë, ku humbën jetën tre persona.
Ajo ka pyetur ministrin Liburn Aliu se aksidentet rrugore, jetët që po i marrin rrugët, përgjegjësi e kujt janë, ndërkaq i ka kujtuar se parandalimi i këtyre aksidenteve është përgjegjësi institucionale mbi të gjitha.
“Kosova përbën një rast endemik. Numri i aksidenteve, vdekjeve dhe lëndimeve është shumë i madh.
Për vitin 2021, janë rregjistruar 300 jetë të humbura në Kosovë, ndërsa vetëm gjatë këtij vikendi dhe vetëm në një pikë rrugore kemi 3 jetë të humbura”, shkruan ajo, transmeton Scanner.
Postimi i plotë:
Aksidentet rrugore, jetët që po i marrin rrugët, përgjegjësi e kujt janë Liburn Aliu?
Bota ka një epidemi të aksideteve fatale që paraqesin shqetësim global për shëndetin publik. Mbikëqyrja institucionale dhe vetëdijësimi i pjesëmarrësve në trafik janë angazhime permanente të shteteve.
Kosova përbën një rast endemik. Numri i aksidenteve, vdekjeve dhe lëndimeve është shumë i madh.
Për vitin 2021, janë rregjistruar 300 jetë të humbura në Kosovë, ndërsa vetëm gjatë këtij vikendi dhe vetëm në një pikë rrugore kemi 3 jetë të humbura.
Parandalimi i këtyre aksidenteve është përgjegjësi institucionale mbi të gjitha.
Shteti nuk i përmbushë detyrat e veta vetëm duke shqiptuar masa ndëshkimore për faktorët kryesorë të rrezikut: shpejtësia, dehja, rripi i sigurisë, helmetat, përdorimi i celularëve,sigurimi i fëmijëve, etj. Në fakt, ato fitojnë kuptimplotninë e tyre pas përmbushjes së përgjegjësive institucionale karshi rrugëve, magjistrale, nacionale.
Menaxhimi i rrjetit rrugor, inspektimi, auditimi i sigurisë rrugore dhe masat për adresimin e pasigurive në komunikacion janë përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës, respektivisht Departamentit të Menaxhimit të Rrugëve, Departamentit të Infrastrukturës, etj.
Si ka mundësi, që në një lak rrugor si ky në rrugën magjistrale Prishtinë-Podujevë, por edhe disa pika të tjera rrugore në Kosovë, të ndodhin numri më i madh i aksidenteve rrugore me fatalitete dhe në këto pika të mos merren masa korrektuese dhe parandaluese nga përgjegjësit e institucioneve?
Sinjalizimi i shtuar, ndriçimi i rrugëve, zgjerimi dhe masa të tjera si këto, janë domosdoshmëri themelore dhe përgjegjësi ligjore e institucioneve tona. Shtimi i aksidenteve rrugore është shqetësim për shendetin publik dhe kërkon një qasje multisektoriale, por si e tillë kërkon edhe vullnet politik të fuqishëm të ministrit Aliu, në këtë rast.
Fakti që korniza ligjore është mirë e vendosur, situatat e tilla bëhen edhe më të papranueshme! Kërkojmë veprim në zvoglimin e numrit të vdekjeve në rrugët e Kosovës dhe siguri për të gjithë.