Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se qytetarët e vendit s’kanë qenë asnjëherë në pozitë më të vështirë dhe të pashpresë sesa tani.
Bajrami ka përmendur rritjen e çmimeve dhe punësimet në KEK, duke thënë se qytetarët po ndihen të diskriminuar.
“Viti 2022 në shumë vende po konsiderohet si vit i përfundimit të pandemisë, derisa në Kosovë viti 2022 po del të jetë viti më i vështirë për qytetarët në aspektin socio-ekonomik.
Pavarësisht trumbetimeve të qeverisë për rritje të pashembullt ekonomike, qytetarët e vendit s’kanë qenë asnjëherë në pozitë më të vështirë dhe të pashpresë sesa tani. Nuk ka artikull nga shporta e konsumatorit, artikujt bazë, çmimi i të cilave s’ka ndryshuar. Pagat kanë mbetur të njëjta”, ka deklaruar ajo në konferencë.
Për shtesat prej 100 euro për muajin prill, Bajrami ka përmendur se si u lanë jashtë të papunët.
“Me Pakon prej 100 milionë eurove , ku Qeveria tenton të bëjë zgjidhje për krizën ekonomike, ku u lanë jashtë të papunët”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka përmendur edhe mosfunksionimin e Organit Shqyrtues të Prokurorimit (OSHP’së), bllokimin e Agjencionit Kosovar të Konkurrencs dhe Komisionit për Ndihmë Shtetërore.
“Një institucion tjetër i bllokuar është Autoriteti i Konkurrencës…mundësia e marrëveshjes kartel mes firmave është i mundshëm, por s’ka institucion që të hetojë”, ka deklaruar deputetja e LDK’së.