Avokati Skender Musa ka folur për Projektligjin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Musa në Tëvë1, tha se ky ligj është antikushtetues, pasi këtij mekanizmi që pritet të themelohet i jepen kompetenca të Prokurorisë.
“Mendoj që ligji si i tillë është antikushtetues në radhë të parë sepse dispozitat kushtetuese që kanë të bëjnë me drejtësinë si organ që ka të drejtë të hetojë qytetarët e Kosovës e parasheh Prokurorinë e Shtetit”, ka thënë ai.
Ai po ashtu tha se qëllimi i Byrosë është që të hetojë personat e përfshirë në afera korruptive e që për këtë punë sipas tij është Prokuroria.
“Në anën tjetër ligji si i tillë nëse thuhet se Byroja ka të drejtë të hetojë zyrtarët e lartë shtetërorë, personat e afërt dhe të tretë. Këtu qëllimi është që ka të drejtë të hetojë personat që janë të përfshirë në afera korruptive apo që kanë fituar pasuri në mënyrë të paligjshme, personat e afër në emër të cilëve ka mundur të bartet ajo pasuri, por mendoj që edhe personat e tretë në emër të cilëve mund të sillet pasuria. Mirëpo kjo prapë bie në fushën e hetimeve dhe veprimtarive kriminale që mund të kryhen dhe për këtë punë edhe Prokuroria”, ka deklaruar Musa. /teve1.info/