Atletico Madridi e ka mposhtur 2:0 Rayo Vallecanon në ndeshjen e parë në vitin 2022, duke i dhënë fund një ecurie negative prej katër humbjeve radhazi në La Liga.
Angel Correa shkëlqeu duke i shënuar të dy golat e tri pikëve të para për skuadrën e Diego Simeones pas më shumë se një muaji.
Kampioni në fuqi i La Ligës mbeti jashtë garës për ta mbrojtur titullin, duke u mposhtur katër herë radhazi para pushimit dimëror, por e nisi Vitin e Ri me triumf shumë të nevojshëm.
Falë kësaj fitoreje, Atletico e kalon Vallecanon në vendin e katërt në tabelë dhe tani mbledh 32 pikë, dy më shumë se kjo e fundit.
Por skuadra e Simeones ngel 12 pikë mbrapa liderit dhe rivalit Real Madrid me një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ishte një ndeshje e njëanshme të dielën pasdite në Wanda Metropolitano, me vendasit që krijuan shumë për të shënuar vetëm dy herë.
Vizitorët dështuan ta bënin qoftë edhe një goditje të vetme në kornizën e portës së portierit Jan Oblak.
Correa e shënoi golin hapës në minutën e 28-të, kur realizoi nga afërsia pas një tollovie në mbrojtjen e Rayos.
Sulmuesi argjentinas e dyfishoi epërsinë e vendasve duke e futur topin në portën boshe nga afërsia pasi u shërbye nga Renan Lodi në minutën e 53-të.
Atletico e pati lojën nën kontroll edhe në vazhdim dhe Rayo nuk u duk asnjëherë serioze për ta rrezikuar fitoren e kampionit.