Prishtinë – Gjykata e Apelit ka obliguar Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), të kompensojë dëmet e shkaktuara për ndërprerjen e kundërligjshme të mandatit të ish- anëtarit të shoqërisë civile, Florent Muqaj.
Kolegji i Gjykatës së Apelit në përbërje nga gjykatësi Hajriz Hoti, gjykatësi Ramiz Kuqi dhe gjykatësja Delushe Halimi, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës ka gjetur se ankesa e të paditurit KPK është e pa bazuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Nga shkresat e lëndës rezulton se paditësi ka ushtruar padi për konflikt administrativ me 23 nëntor 2015 kundër Këshillit Prokurorial të Kosovës në Prishtinë, për anulimin e vendimit dhe kompensimin e pagave, sepse konsideron se vendimi i kundërshtuar me padi është i pabazë dhe jo i ligjshëm për arsye se nuk është vlerësuar drejt gjendja faktike nga ana e organit administrativ si dhe është zbatuar gabimisht edhe ligji procedural dhe material, me propozim që i njëjti të anulohet si i kundërligjshëm si dhe t’i bëhet kompensimi i pagave”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.
Sipas këtij vendimi, aktgjykimi i shkallës së parë është i qartë dhe i kuptueshëm, ndërsa në arsyetimin e tij janë dhënë arsyet e mjaftueshme për faktet vendimtare të cilat i pranon edhe kolegji i Apelit.
Tutje, në vendim thuhet se mbi arsyet e lartcekura ankesa e të paditurit – KPK është refuzuar si e pa bazuar, ndërsa aktgjykimi i ankimor u vërtetua si i drejt dhe i ligjshëm.
Këshilli Prokurorial i Kosovës, më 9 shtator 2014, në mënyrë unanime kishte vendosur në përzgjedhjen e anëtarit përfaqësues nga shoqëria civile, Florent Muqaj, një vit më vonë më 5 nëntor kishte nxjerr një vendim më të cilin kishte shpall konkurs për pozitën e një anëtari të KPK-së nga radhët e shoqërisë civile.
I pakënaqur me vendimin, Muqaj më 23 nëntor 2014, kishte ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative duke kërkuar anulimin e këtij vendimi dhe vërtetimin e mandatit të tij 5 vjeçar në pozitën në të cilën ishte përzgjedhur nga vet Këshilli, në procedura ligjore dhe transparente.
Ai përmes padisë, pretendonte se në mënyrë arbitrare dhe në kundërshtim edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, atij i ishte ndërprerë mandati i anëtarit të KPK-së, nga radhët e shoqërisë civile.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, më 12 mars 2021 kishte aprovuar padinë e paditësit si të bazuar.
“Obligohet e paditura Këshilli Prokurorial i Kosovës, që paditësit t’ia kompensojë në mënyrë retroaktive pagesën/kompensimin si anëtarë i KPK dhe atë nga data 01.01.2016, kur i është mohuar kjo e drejtë e deri me datën e skadimit të mandatit të paditësit në shumën e përgjithshme të pagave mujore neto 10.548 si dhe interesin në shumën prej 2,443 euro, më pas kontributin personal në këto paga në shumën prej 1,414 euro i cili duhet transferuar në Trustin e Kursimeve Pensionale të paditësit si dhe tatimin në këto paga në shumën prej 290 euro i cili duhet transferuar në Administratën Tatimore të Kosovës, krejt këto në afat prej 15 ditësh, nën kërcënimin e ekzekutimit me dhunë”, thuhet në vendimin e gjykatës së shkallës së parë.
Kundër këtij aktgjykimi ankesë në Gjykatën e Apelit kishte parashtruar KPK, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës, vërtetimit të gabuar apo jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së ligjit material, duke propozuar që aktgjykimi i lartcekur të prishet dhe çështja të kthehet në rishqyrtim.
Në anën tjetër, paditësi përmes avokatit të tij, Labinot Vata ka propozuar që ankesa e të paditurit të refuzohet si e pa bazuar, ndërsa aktgjykimi i shkallës së parë të vërtetohet./BetimipërDrejtësi