Pas vendimit të Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë vendin, Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në veri. Vetëm në fshatin Trebicë të Komunës së Leposaviqit, janë konfiksuar 272 pajisje për prodhimin e kriptovalutave.
Për këtë aksion ka njoftuar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sipas tij, aksioni ka përfunduar pa ndonjë incident. Duke publikuar pamje nga ky aksion, Sveçka ka njoftuar për arrestimin e një të dyshuari.
Ai ka bërë me dije se të tilla aksione do të vazhdojnë.
“Sot në orët e para të mëngjesit, pas kërkesës së Doganave të Kosovës, Policia e Kosovës ka organizuar aksionin e zbulimit dhe konfiskimit të paisjeve për minim të kriptovalutave. Në këtë aksion në afërsi të fshatit Trebice të komunës së Leposaviqit u konfiskuan 272 nga këto lloj paisjesh dhe është arrestuar një person. Gjithë aksioni u zhvillua dhe përfundoi pa incidente. Aksione të këtilla do të vazhdojnë deri në implementimin e plotë të vendimit të Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës”, ka shkruar Sveçla.
Ndryshe, se një aksion i tillë do të zhvillohej ka pasur paralajmërime.
Nga Qeveria e Kosovës i kanë thënë Express’it se edhe veriu i vendit do të trajtohet si e gjithë pjesa tjetër e territorit të vendit.
Zëdhënësja e Qeverisë, Rozafë Kelmendi, ka paralajmëruar mes rreshtash edhe aksion.
“Veriu i vendit do të trajtohet njëjtë si gjithë pjesa tjetër e territorit të Republikës së Kosovës. Organet e rendit dhe të drejtësisë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet relevante të sektorit të energjisë, do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave në të gjithë Republikën e Kosovës dhe do ta ndërprejnë këtë aktivitet”, thuhet në përgjigjen e Kelmendit./Gazeta Express