Home Ballina Ambasada amerikane: E dënojmë ashpër sulmin e policëve në veri, kërkojmë të mos bëhen spekulime

Ambasada amerikane: E dënojmë ashpër sulmin e policëve në veri, kërkojmë të mos bëhen spekulime

0

Ambasada amerikanë në Kosovë ka reaguar lidhur me sulmin e Policisë së Kosovës me gurë dhe kallashnikovë në Zubin Potok, duke e dënuar ashpër atë. Më tej, ata kanë thënë që të mos bëhen spekulime që çojnë në rritje të tensioneve mes dy vendeve.

“Ambasada e SHBA është thellësisht e shqetësuar nga raportimet për të shtëna me armë dhe gurë të hedhur në drejtim të zyrtarëve kosovarë të zbatimit të ligjit pranë Zubin Potokut. Këto sulme ndodhën teksa autoritetet sovrane përgjegjëse për ruajtjen e paqes dhe sigurisë po kryenin detyrat e tyre zyrtare. Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të mjerueshme, të pajustifikueshme”, thuhet në reagimin e tyre.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit janë përgjegjës për hetimin e situatës.Ne bëjmë thirrje kundër spekulimeve që do të rrisnin  tensionet dhe do të dënojmë çdo përpjekje për të penguar këtë punë esenciale”, thuhet në reagimin e mëtejshëm të ambasadës në ‘Facebook’.

Në të njëjtën linjë reagimi ka shkuar edhe Bashkimi Evropian për çështjen e, siç i quajnë ata, spekulimeve, në mënyrë që të mos ngriten tensionet.

“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm sulmin e dhunshëm ndaj patrullës së Policisë së Kosovës, në komunën e Zubin Potokut mëngjesin e sotëm. Policia e Kosovës është ofruesi kryesor i sigurisë.I bëjmë thirrje të gjithëve që t’i shmangin spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione të mëtejshme, duke theksuar se hetimi i rastit do të bëhet nga organet përkatëse ligjzbatuese”, thuhet në reagim.

Këto reagime vijnë pasi në konferencën e sotme për media u tha se nga hetimet e para dyshohet se sulmet erdhën nga territori i Serbisë.

Përpos kësaj, edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, deklaroi se sulmet erdhën nga Serbia.

“Për tre ditë rresht (13 -15 Prill), oficerët e policisë së Kosovës janë sulmuar në pikëkalimin kufitar me Serbinë. Dje dhe sot në mëngjes breshëri plumbash dhe një granatë dorë është hedhur në drejtim të policisë. Burimet tona kanë identifikuar se sulmet e djeshme vijnë nga Serbia”, ka shkruar Kurti

Exit mobile version