Liburn Aliu, ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka thënë të premten se “përfshirja e Manastirit të Deçanit në listën e 7 lokaliteteve më të rrezikuara në Evropë nuk është e drejtë”, sipas tij “pasi që nuk është e bazuar në argumente profesionale dhe nuk reflekton pasqyrën reale të Manastirit”.
Aliu ka treguar se bashkë më ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku kanë pasur një takim me përfaqësuesit e Organizatës Europa Nostra, të shoqëruar nga përfaqësuesit e Institutit të Bankës Evropiane të Investimeve. Ata i kërkuan organizatës “Nostra” të kërkojë falje.
“Në këtë takim, ritheksuam qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, përkitazi mos-pajtimin e përfshirjes së Manastirit të Deçanit në listën e 7 lokaliteteve më të rrezikuara në Evropë gjatë vitit 2021”, ka treguar Aliu.
Ministri Aliu po ashtu ka shuar se “manastiri i Deçanit si aset i trashëgimisë kulturore është objekt në gjendje të mirë fizike e funksionale, ku zhvillohen ceremonitë e rregullta fetare, si dhe gjendja e sigurisë në objektet e trashëgimisë kulturore, në veçanti të atyre fetare është përmirësuar, e ky fakt argumentohet më së miri në raportet e organeve të sigurisë, së Policisë së Kosovës, dhe Misionit të KFOR-it në Kosovë”.
“Bashkarisht me Ministrin Çeku, deklaruam se insistimi për “rrezikun” ndaj Manastirit të Deçanit, është edhe një dëshmi për qasjen jo-profesionale, politikisht të ndikuar të organizatës Europa Nostra, dhe ritheksuam edhe njëherë që Europa Nostra i detyrohet me kërkim falje dhe kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj reputacionit të Institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka përfunduar postimi i Liburn Aliut në Facebook.