Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte informata se do të organizoheshin protesta në Veri, e për të, arsyeja ishte e padrejtë. Para dy dite, Kurti kishte thënë se pasnesër, që i bie sot, do të ketë protesta nga serbët në Veri, shkruan Gazeta Metro.
Për protestën që po zhvillohet në Veri dhe Graçanicë, Albin Kurti e ka ditur dy ditë më parë.
Në konferencën për media, që u mbajt të mërkurën, Kryeministri Albin Kurti tha se ka marrë informata që në Veri do të organizoheshin protestat “për pasnesër”. Ai fliste për sot, dhe, kështu edhe ndodhi.
Por, sipas Kurtit, është e padrejtë, që serbët të protestonin për mosorganizim të zgjedhjeve nacionale të Serbisë në Kosovë, të cilat shteti serb i mban më 3 prill.
“Sot më erdhi informacioni që po përgatiten edhe protesta për pasnesër. Unë nuk mendoj që protestat janë të nevojshme për këtë çështje. Unë plotësisht do t’i kuptoja qytetarët serbë të Republikës së Kosovës, nëse do të protestonin kundër korrupsionit, për çështje sociale, për arsim më të mirë, për shëndetësi më të mirë. Mirëpo, të hyhet në protesta për zgjedhjet e Serbisë, që të mbahen nëpër objekte shkollore, nuk është e drejtë”, tha Kryeministri, gjatë paraqitjes së tij para mediave.
Ai edhe u bëri thirrje qytetarëve serbë të Kosovës, që të mos organizojnë protesta për temën e zgjedhjeve, e as të mos marrin pjesë në to. Këto thirrje ua bëri, duke i mbështetur me këshilla, si “protestues i madh”.
Protestat në Veri dhe Graçanicë nisen sot në ora 12:00, ndërsa ndërkombëtarët shprehin shqetësimin për këto protesta.
Shtetet e QUINT’it dhe Bashkimi Europian, sot kanë dal me një letër të përbashkët ku i janë drejtuar Kosovës dhe Serbisë lidhur me paralajmërimet e këtyre të fundit për protesta, pasi Kosova, nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e vet.
Në thirrjen e tyre, bëhet e ditur se mbështesin tubimet e qytetarëve, megjithatë, se duhet të jenë totalisht paqësore.
“Shefat e misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian i kanë parasysh demonstratat e planifikuara për sot dhe shprehin shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit të gjendjes apo për dhunë. Qytetarët kanë të drejtë për tubim në mënyrë paqësore si dhe përgjegjësi për të siguruar që tubimet e tilla janë paqësore dhe nuk kthehen në të dhunshme. Ndër të drejtat tona të përbashkëta demokratike janë edhe e drejta për tubim në mënyrë paqësore dhe që zëri ynë të dëgjohet, të drejta këto që organet e zbatimit të ligjit kanë përgjegjësi për t’i mbrojtur. Organet e zbatimit të ligjit e kanë detyrim të ruajnë rendin publik dhe do të duhej ta bëjnë këtë pa shkelur parimet demokratike të lirisë së shprehjes dhe të tubimit. Quint-i dhe BE-ja gjithashtu i përsërisin thirrjet e tyre Kosovës dhe Serbisë për të vepruar në mënyrë të matur dhe të përmbahen nga çfarëdo retorikë apo veprim që do të mund të ngritë tensionet.”, thuhet në reagimin e tyre