Lokali Gizzi Grill në Veternik të Prishtinës jo rrallëherë ka qenë vendi i përleshjeve, kanosjeve e incidenteve të tjera që kanë shkaktuar telashe. Bëhet me dije se edhe mbrëmë Policia ka intervenuar në këtë lokal, ku u shkaktua rrezik nga një person akoma i paidentifikuar.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se një person ka hedhur një sprej në orët e mëngjesit dhe për pasojë ka alarmuar klientët, në numër jo të vogël që ndodheshin në lokal, të cilët me shpejtësi nisën të largoheshin.
Situata u tensionua deri në atë pikë sa një vajze 20-vjeçare, që gjendej në këtë lokal iu vështirësua frymëmarrja dhe u desh ndihma mjekësore, me ç’rast autoambulanca doli në vendin e ngjarjes. Prej aty viktima u dërgua për emergjencë, ndërkohë që Policia kreu ekzaminimet e nevojshme.
Para zyrtarëve policorë, siç mëson Gazeta Sinjali ka dhënë deklaratë menaxheri i lokalit, i cili ka rrëfyer në detaje se si ndodhi ngjarja dhe ka ofruar pamjet nga kamerat e sigurisë, përmes të cilave mund të zbulohet i dyshuari apo të dyshuarit e përfshirë në rast.
Në lidhje me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit që ka urdhëruar inicimin e rasteve në drejtim të dy veprave penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm ”dhe “Armëmbajtje pa leje” dhe nisjen e hetimeve për kapjen e të dyshuarve.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar Prokurorinë Themelore në Prishtinë, por të njëjtit kanë deklaruar se nuk janë në dijeni lidhur me rastin