Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar sot projektin për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Mitrovicës, në vlerë prej 19.8 milionë euro.
Lidhur me këtë, ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri është munduar t’i marrë meritat për vete, duke thënë se ky projekt kishte nisur gjatë qeverisjes së tij.
Bahtiri përmes një postimi në Facebook tha se ndihet mirë për finalizimin e këtij projekti.
Ndryshe, edhe gjatë qeverisjes së tij Bahtiri thoshte se të gjitha projektet ishin nisur nga ai, anipse shumë projekte si Liqeni Akumulues, palestra, OmniSport e sheshi i qytetit kishin filluar nga qeverisjet e kaluara.
Postimi i plotë:
Sot, Kuvendi i Kosovës ka miratuar marrëveshjen për kredinë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin e zhvillimit të impiantit të ujërave të zeza në Mitrovicë dhe marrëveshjen për kredinë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Mitrovicë.
Ndjehem mirë teksa shoh që po finalizohen projektet e filluara kohë më parë nga qeverisja ime komunale në bashkëpunim më Zyrën e Bashkimit Europian dhe Ujësjellësin “Mitrovica”.
Mitrovica mbi të gjitha 💙