Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kritikuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin se nuk po dialogon dhe nuk po komunikon me mësimdhënësit.
Ai ka thënë se Kurti po shkon nga gabimi në gabim, ndërsa Kosova ka nevojë për urtësi e jo për ofendim e polarizim depresiv.
“Nuk ka luftë të mësimdhënësve e komunave ndaj shtetit. Që të dy, komunat e mësimdhënësit janë vet shteti.”, ka shkruar Abdixhiku.
Më tutje, ai është shprehur se Kurti ka dështuar ta kapërcejë vetën.
“Qeveria ka për obligim që inflacionin prej 20% ta përkthejë në rritje të të hyrave për të gjithë. Për fillim, pushteti duhet të bisedojë me mësimdhënësit tanë pa arrogancë e pa hezitim.”, shkruan ai.
Postimi i tij i plotë:
Të dialogosh do të thotë të bashkëbisedosh. Të dëgjosh tjetrin e të dëgjojë tjetri. Komunikimi në distancë me mësimdhënësit tanë në këtë krizë është veçse ofendim. Nga gabimi në gabim!
Kosova ka nevojë për urtësi, jo për ofendim e kaq polarizim depresiv. Nuk ka luftë të mësimdhënësve e komunave ndaj shtetit. Që të dy, komunat e mësimdhënësit janë vet shteti.
Sot, Kurti dështoi të kapërcej veten. Refuzoj dialogun dhe nuk arriti të trajtojë me respekt shtetari problemin e mësimdhënësve tanë – njerëzve të këtij vendi. Zgjidhjet e tij të njëanshme që nuk plotësojnë nevojat themelore të mësimdhënësve, janë veçse improvizim. Si i tillë, ky plan pa dialogim, thellon përçarjen e mbanë shkollat tona të mbyllura.
Qeveria ka për obligim që inflacionin prej 20% ta përkthejë në rritje të të hyrave për të gjithë. Për fillim, pushteti duhet të bisedojë me mësimdhënësit tanë pa arrogancë e pa hezitim.