Home Lajme 52 vjet universitet/ Fitim Uka: UP ka dhënë shumë dritë, shkencë e kulturë

52 vjet universitet/ Fitim Uka: UP ka dhënë shumë dritë, shkencë e kulturë

0

Në ambientet e Fakultetit Filozofik është organizuar një diskutim me studentë me rastin e përvjetorit të 52-të të themelimit të Universitetit të Prishtinës. Pjesë e panelit të diskutimit ishin Prof. Fitim Uka dhe drejtori ekzekutiv i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim, Rron Gjinovci.

UP u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969. Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për popullin e Kosovës dhe sidomos për kombin shqiptar.

Historia e Universitetit, pashmangshëm, është e lidhur edhe me historinë e popullit tonë sepse përveç vend i dijes Universiteti ishte edhe vend i rezistencës. Pavarësisht vështirësive e sakrificave të shumta, që nga mohimi i së drejtës për të mësuar në gjuhën shqipe, dëbimi i studentëve shqiptarë nga objektetet universitare e deri te revoltat studentore, përpjekjet për bërjen e Universitetit dhe Republikës nuk pushuan kurrë.

Siç e tha edhe Prof. Fitim Uka, ky Universitet ka dhënë shumë dritë, shkencë, kulturë, e ndonjëherë edhe shumë më shumë se kaq. Demonstratat dhe luftërat kanë qenë të frymëzuara pikërisht nga Universiteti i Prishtinës.

Ndërkohë, për të shënuar këtë datë kaq të rëndësishme, Gjinovci dhe organizata që ai drejton dhuruan 52 trëndafila për Rektoratin e UP-së: trëndafila të verdhë për periudhën e artë të tij të viteve 70-80; trëndafila të kuq për periudhën e sakrificës e të rezistencës 81-99; trëndafila të bardhë për epokën tonë, të cilën duhet ta ngjyrosim me ngjyrën e cilësisë.

Exit mobile version