Bullgaria nuk do të rinovojë marrëveshjen e furnizimit me gaz natyror me kompaninë ruse, Gazprom, për shkak të luftës në Ukrainë dhe do të shqyrtojë furnizimet alternative dhe një marrëveshje të përbashkët të ardhshme me Bashkimin Evropian për të shmangur mungesën e karburantit, tha të shtunën zëvendëskryeministri bullgar, Assen Vasiliev.
Ky vend ballkanik ka marrë pothuajse të gjithë gazin përmes një kontrate dhjetëvjeçare me Gazprom, kontratë kjo e cila skadon në fund të vitit 2022.
Për vite me radhë, ajo ka vonuar projektet për të diversifikuar burimet e saj, duke përfshirë lidhjen e tubacionit me Greqinë fqinje dhe zgjerimin e strukturës së vetme të depozitimit të gazit të vendit.
Qeveria bullgare po përpiqet të përshpejtojë të dy projektet, nga frika se lufta në Ukrainë mund të shkaktojë pengesa edhe më të mëdha, shkruan Bloomberg, përcjellë Gazeta Blic.
“Në këtë situatë, nuk ka asnjë mundësi për të biseduar me Gazpromin. Ne kemi biseduar si me Greqinë, ashtu edhe me Turqinë, për të përdorur infrastrukturën ekzistuese për furnizimin dhe për të rritur dërgesat nga Azerbajxhani, me të cilin vendi kemi një kontratë. Qeveria shpreson që deri në fund të verës të funksionojë mekanizmi i përbashkët i Bashkimit Evropian për furnizimin, i cili do t’i mundësojë këtij blloku të negociojë me çmime më të mira”, tha Vasiliev.
Lufta në Ukrainë tashmë e ka detyruar BE-në të ripërcaktojë politikën e saj energjetike dhe të kërkojë një reduktim më të shpejtë të varësisë nga Rusia, furnizuesi i saj më i madh i energjisë.
Javën e kaluar, Komisioni Evropian prezantoi një plan për të zëvendësuar furnizuesit e pothuajse dy të tretave të importeve të gazit rus këtë vit, dhe po përpiqet të eliminojë gradualisht varësinë nga të gjitha lëndët djegëse fosile nga Moska deri në vitin 2027.