Gjykata Themelore në Gjakovë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Besart Gashi, i cili akuzohet për veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, kryetari i trupit gjykues, Ilir Rashkaj njoftoi se për këtë rast do të mbahet një seancë dëgjimore për caktimin e dënimit, pas kërkesës së mbrojtëses së të akuzuarit Besart Gashi, avokate Albana Kelmendi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I njëjti ka bërë te ditur për “Betimi për Drejtësi” se po ashtu gjykata do të vlerësoj se a do të përmbushen-plotësohen kushtet që po atë ditë të bëhet shpallja e sanksionit dhe lartësia e dënimit për të akuzuarin i cili sot u shpall fajtor.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Besart Gashi, në cilësi të personit zyrtar në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Komunën e Malishevës, ka bërë shkelje ligjore në 623 raste të regjistrimeve të automjeteve, duke i shkaktuar dëm në vlerë prej 5 mijë e 700 euro Komunës së Malishevës.