Lajme

Zyrtari i lartë amerikan nesër në Kosovë, takohet me Osmanin, Kurtin dhe opozitën

By GAZETA SCANNER 1

January 10, 2023

Këshilltari i Departamentit të Shtetit Amerikan, Derek Chollet, nesër do ta vizitojë Kosovën.

Zyrtari i lartë amerikan pritet të takohet me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe liderët e opozitës.

Takimi me Osmanin do të zhvillohet në ora 13:00.

“Në orën 13:30, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Zyrtarin e Lartë të Departamentit të Shtetit, Derek Chollet”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, takimi me Kurtin, sipas njoftimit të ZKM-së, do të mbahet nga ora 14:30.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pret në takim Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet”, thuhet në njoftim.

Pasdite ai do të takohet edhe me liderët e opozitës.

Ai do të diskutojë me përfaqësuesit e institucioneve dhe të shoqërisë civile për përpjekjet e SHBA-së për të ndihmuar në avancimin e integrimeve euroatlantike, se si “përmes dialogut me mbështetjen e BE-së të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus njohjen reciproke”.

Ndërkaq më 12 janar, ai do të jetë në Beograd, ku me lidershipin serb do të diskutojë sigurinë energjetike, integrimin ekonomik rajonal dhe përparimin drejt synimit të Serbisë për t’iu bashkuar BE-së.

“Ai do të diskutojë gjithashtu rolin e Serbisë në forcimin e paqes dhe sigurisë rajonale dhe angazhimin e saj të vazhdueshëm në dialogun e udhëhequr nga BE-ja me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.

Pos Chollet, në kryeqytetin kosovar gjatë muajit janar pritet të zbarkojë edhe ndërmjetësi i BE-së, Miroslav Lajçak.