Ndihmës sekretari në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson është takuar të enjten me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite të tij në vendin tonë.
Në një konferencë për media pas përfundimit të takimit, Robinson ka thënë se vizita e tij tregon mbështetjen e ShBA-së për Policinë e Kosovës, institucionet e sigurisë dhe qytetarë.
“Presidente faleminderit shumë për mikpritjen e ngrohtë, mundësinë për të biseduar me juve për çështje të rëndësishme për të cilat kemi diskutuar që një kohë të gjatë. Fakti që jam këtu për të treguar mbështetjen tonë, atë që po bëni ju, për çka po punon policia, shërbimet e sigurisë, qytetarët e zakonshëm – është më të vërtetë i rëndësishëm dhe porosia ime do të ishte që ShBA-të janë këtu për t’ju mbështetur në përpjekjet tuaja për të ndërtuar institcione jetike të sigurisë dhe struktura të gjyqësorit.” – deklaroi ai.
Tutje, Robinson u shpreh:
“Po punojmë për një Kosovë më të mirë sot, por edhe për një Kosovë më të fortë, më transparente në të ardhmen, për të gjithë qytetarët”.
Në fund, zyrtari i lartë amerikan theksoi se kjo nuk është hera e parë e tij në Ballkan pasi ka punuar edhe më herët në rajon, derisa përmendi “mundësinë për t’u takuar me kolegë të Osmanit në qeveri”, ani se në agjendë s’e ka takimin me Kurtin.
“Nuk është hera e parë që jam në Ballkan, siç e vut në pah, kam punuar në rajon edhe më herët, mirëpres mundësinë për të parë edhe më shumë nga vendi juaj, për t’u takuar edhe me kolegët tuaj në qeveri dhe sektorin e gjyqësorit.” – deklaroi Robbinson.