Sport

Zyrtare: Beppe Marotta, bëhet president i Interit

By GAZETA SCANNER 1

June 04, 2024

Interi ka konfirmuar se Beppe Marotta është emëruar si presidenti i ri i klubit.

67-vjeçari kishte shërbyer si drejtor ekzekutiv i zikaltërve që nga viti 2018 pas një periudhe tetëvjeçare në Juventus.

“F.C. Internazionale Milano sot njofton emërimin e propozuar të Giuseppe Marottas si President i ri dhe përbërjen e re të Bordit të Drejtorëve të Klubit, i cili do të konfirmohet në një mbledhje të aksionarëve në Milano më vonë sot”, thuhet në një deklaratë të Interit.

Interi fitoi pesë trofe gjatë kohës së Marottas në klub, duke përfshirë dy tituj të Serie A.

Një epokë e re nis sot për Nerazzurrët dhe 67-vjeçarin, një nga personat më me përvojë në futbollin italian.

“Do të doja të falënderoja Oaktree për besimin që kanë treguar duke më dhënë këtë mundësi për të punuar përkrah tyre dhe Bordit”, tha Marotta.

“Ky emërim është një mirënjohje e punës fantastike të shumë njerëzve që kanë drejtuar klubin gjatë tre viteve të fundit. Jam krenar që jam pjesë e Interit dhe mbetem i përkushtuar si kurrë për klubin”.

Fondi amerikan Oaktree kohët e fundit mori kontrollin e Interit pasi presidenti i mëparshëm Steven Zhang dështoi të shlyente një borxh prej afro 400 milionë euro.