Lajme

Zyrapi: Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së nuk kishte plan përndjekje apo abuzimi me të drejtat e njeriut

By GAZETA SCANNER 1

July 03, 2024

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Bislim Zyrapi, e ka vazhduar edhe sot dëshminë e tij në Hagë.

Paradite ai është marrë në pyetje nga prokuroria e më pas ka filluar pyetjet Luka Misetic, avokat mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi.

Në pyetjet e avokatit Misetic, Zyrapi, si një figurë e njohur dhe me ndikim në luftë, konfirmoi se nuk ka pasur asnjë marrëveshje brenda Shtabit për një politikë që do të përndjekte bashkëpunëtorët e Serbisë apo shkeljen e të drejtave të njeriut.

Zyrapi madje konfirmoi se në verën e vitit 1998, ajo çfarë ka parë ai ishte se UÇK-ja nuk ishte një organizatë e centralizuar, por e paorganizuar.

Ai pohoi po ashtu se po në verën e vitit 1998 shtabi kishte problem për t’u mbledhur dhe vepruar në mënyrë të unifikuar.

Zyrapi duket se do të ketë një dëshmi të gjatë në Hagë, pasi veç prokuroria ka marrë kohë dy ditë për pyetjet, ndërkaq në radhë kanë mbetur mbrojtja e Thaçit, ajo e Veselit, e Selimit dhe Krasniqit dhe më pas edhe paneli i gjyqtarëve.