Lajme

Zyrapi e pohon se më 1998 ka bërë propagandë për UÇK-në, që të dukej më profesioniste

By GAZETA SCANNER 1

July 03, 2024

Dëshmitari Bislim Zyrapi ka pohuar në sallën e gjyqit në Hagë, se ai së bashku me Agim Qelajn ishin angazhuar në përgatitjen e propagandës në verën e vitit 1998 për UÇK-në, në mënyrë që të dukej më profesioniste se që ishte në të vërtetë.

Këtë gjë, sipas avokatit të Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari e kishte thënë edhe në gjykimin ndaj Fatmir Limajt në vitin 2005, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Edhe dje, edhe pardje kur edhe prokurori me ka pyet, e kam cekë edhe dje që kam qenë për këtë çështje te Brigada 121 në drejtim të Qafës së Duhlës ku kam ndihmuar se si rreshtohen, si raportojnë, si duhet të përgjigjen ose si duhet të rreshtohen ushtarët”, tha ai.

Më pas, dëshmitarit iu prezantua një video ku dëgjohej një ushtar i UÇK-së teksa thoshte se ata si ushtarakë, janë ushtruar në shkolla ushtarake, por që kanë pasur edhe përvoja lufte si dhe tregonte përgatitjen profesionale që kanë ata, e për luftërat që zhvillohen në territorin e Kosovës.

Për personin në video, Zyrapi tha se është vetë ai dhe se e ka incizuar në qershor të ‘98-ës në fshatin Luzhnicë në territorin e Brigadës 121.

“Ishte në periudhën kur njësitë ende nuk ishin të unifikuara ose të organizuara. Ishte një pjesë propagande e cila në atë kohë është dhënë që faktikisht jemi duke shkuar nga ky drejtim, por në atë kohë nuk ka qenë bash ashtu e zhvilluar siç e kam dhënë intervistën”, tha ai.

Dëshmitari pohoi se në qershor të ‘98-ës kur është futur në Kosovë ka vizituar edhe Drenocin, ku ka qëndruar tri ditë dhe se arsyeja që qëndroi aty ishte për shkak se ishte vend afër kufirit.

Sipas tij, qëndrimi i tij ishte që me kërkesë të shtabit lokal të asaj kohe për t’i trajnuar ushtarët. Gjithashtu, pohoi se në kohën kur ka qenë në Drenoc nuk ka parë polici ushtarake.

“Për këtë kohë kur kemi qenë, kur kemi mbërri nuk ka pas polici ushtarake, s’kam pa. S’kam pa as shenja të policisë ushtarake në atë kohë”, tha dëshmitari.

Duke përshkruar situatën në Kosovë kur hyri në Kosovë, dëshmitari pohoi se grupet lokale nuk ishin të koordinuara, nuk kishin kontakte me njëra-tjetrën dhe mendonte se secili ishte komandant mbi të tjerët.